Skënder Minxhozi – Pardje kishte festë në LSI. Normale, për të gjithë ata (përfshirë të
interesuarin më të parë, kryetarin e partisë Ilir Meta), që besuan dhe
besojnë se me vulën e Gjykatës së Lartë mori fund saga njëvjeçare e
skandalit të bujshëm të videopërgjimit Meta-Prifti.

Normale gjithashtu që vetë Ilir Meta dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, të investohen që kjo ngjarje e rëndë të mbetet pas shpine dhe që gjithsecili t’i kthehet normalitetit. Por a mund të ndodhë vërtet kështu?

Që të analizohet vendimi i Gjykatës së Lartë, në prizmin e pasojave politike dhe të helmeve personale që kanë mbetur pas, duhet pritur edhe ca. Janë ende të shumtë elementet e panjohura të kësaj përplasjeje, e cila, po të dëgjosh palën tjetër, Dritan Priftin, ende s’është mbyllur. Duke nisur nga vetë Prifti me kërcënimet e tij, por duke mos harruar linjën që do të ndjekë opozita, mediat dhe komponentët e tjerë të shoqërisë, mbetet të shihet se cila do të jetë pesha e mbetur e këtij skandali që tronditi një vit më parë qeverinë Berisha dhe që sot, vijon të përbëjë një peshë të rëndë për të gjithë mazhorancën.

Skandali Meta-Prifti ka qenë për një vit një konflikt i mbushur me akuza, hedhje dorashkash dhe kërcënime publike për karta të fshehura nën mëngë. Edhe pas vendimit të pardjeshëm të gjykatës vazhdon të jetë i tillë. Një sherr ekstrem ish-miqsh dhe kolegësh, i cili ka shënjuar jo vetëm fatin e dy personave të përfshirë në të, por shumë më tepër se kaq. I parë kështu, konflikti mes kreut të LSI dhe ish-zv.kryetarit të partisë përbën simbolikën e mandatit të trazuar që kjo forcë politike ka përjetuar, qyshse vendosi të bashkojë votat anti-Berisha, me vetë Sali Berishën. Duket pikërisht aty, te ky start i denatyruar dhe aspak korrekt nga ana politike, zanafilla e kësaj krize të brendshme të LSI-së. Ku përtej përplasjes Meta-Prifti, kemi parë edhe sesi zyrtarë të tjerë të lartë të së njëjtës shtëpi politike, në qeveri dhe Parlament, janë akuzuar ashpër për korrupsion mes tyre. Apo ku ka qenë gjithmonë prezente hija dhe dyshimi që opinioni publik ka hedhur (ndoshta edhe me ndihmën e shtysën tinëzare të PD-së), rreth pastërtisë së përfaqësuesve të kësaj partie në administratën shtetërore. Mjafton të kujtohen arrestimet e fundit selektive, thuajse ekskluzivisht ndaj zyrtarëve të ardhur nga radhët e LSI-së.

Me kalimin e kohës kjo parti, e cila hyri në qeverisjen e vendit në vitin 2009, me kauzën e padeklaruar “duhet mbajtur partia”, mori mbi vete kosto jo të pakta dhe një nam jo të mirë. Muajt që kaluan vetëm sa e përforcuan përshtypjen e parë, se ky koalicion kishte qenë, veç të tjerave, edhe një aferë e madhe financiare. Na e thonë këtë më së pari akuzuesi kryesor, Dritan Prifti, por edhe nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Tavo. Dy “dëshmitarë” që vështirë se mund të thuhet se nuk kanë informacion “të dorës së parë”, kur flitet për partinë ku bënin apo ku bëjnë pjesë. Natyrshëm, skandali Meta-Prifti veçse e fuqizoi këtë ndjesi që rrethonte performancën e kësaj force politike në kabinetin shumë të përfolur të Sali Berishës.

Por ka edhe një aspekt tjetër problematik kjo ngjarje, e cila sapo mori mbi vete një verdikt gjykate. Më të gjerë se vetë LSI-ja dhe se fati politik i kreut të saj. Nëse Ilir Meta vendos të rikthehet në qeveri, çka ka shumë mundësi të ndodhë në javët e ardhshme, lista e figurave politike me hije të rënda dyshimi për të shkuarën dhe të tashmen e tyre, zgjatet me një emër të ri. Natyrisht kreu i LSI-së do ta përdorë fort kartën e ndryshimit që ka procedura e tij gjyqësore, e cila shkoi deri në fund. Pra, duke konsumuar procesin gjyqësor dhe duke marrë pafajësinë. Ashtu siç nuk patën guximin të bëjnë ministrat e djeshëm dhe të sotëm, të cilët u fshehën pas imunitetit dhe afateve kohore të hetimit.

Gjithsesi ky është një arsyetim që vështirë se do ta kompensojë humorin e prishur të të gjithë atyre njerëzve që vazhdojnë të pretendojnë se “kanë parë dhe dëgjuar me veshët e tyre”. Një trup gjykues u bind. Tani çështja është të bindet opinioni publik. Ndoshta kjo pjesë e dytë, është edhe më e vështira në këtë histori, ku drejtësia ka ndjekur edhe një herë vullnetin, fatin dhe kapriçiot e politikës. I parë kështu, duket se tashmë një pjesë e dëmit është bërë dhe është e pakthyeshme. Mbetet të shihet në cilat përmasa dhe me cilën faturë kostosh.

Gazeta “Shqip”

Top Channel