Itali, kërkimet për të arratisurit

15/01/2012 16:00

Vazhdon në të gjithë vendin kërkimi i dy të burgosurve që u arratisën ditën e shtunë nga burgu Regina Coeli, në qendër të Romës.

Një prej tyre është 28-vjeçari shqiptar Altin Hoxha, i njohur si banditi me sytë e akullt që kishte tmerruar viktimat gjatë rrëmbimeve dhe vjedhjeve në zonën e Perugias.

Dy të burgosurit kanë arritur të arratisen nga burgu në mënyrën më klasike, atë që zakonisht shihet nëpër filma: kanë sharruar hekurat dhe me çarçafë janë varur nga një tarracë ku mungonin rojet. Mendohet se me ta ishte dhe një i dënuar i tretë, i cili nuk ka arritur të dalë nga hekurat sepse ishte më i shëndoshë se të tjerët.

Sipas policisë së burgjeve, ata kanë përfituar nga numri gjithnjë e më i pakët i personelit. Në burgun ku ka ndodhur arratisja mungon rreth 30% e rojeve të nevojshme dhe nga ana tjetër numri i të burgosurve është rreth 1.200 në vend të 724 që është kapaciteti në Regina Coeli.

Vetem gjatë vitit 2011 nga burgjet italiane kanë arritur të arratisen 14 të dënuar.

Top Channel