“Top Story”: 20 vjet FRESSH

12/01/2012 22:10

Muaji janar, ka domethënie të mëdha për politikën shqiptare. Jo vetëm për ngjarjet e fundit, si protesta e përgjakshme e 21 janarit, por edhe për ato që ndodhën dy dekada më parë, kur u shënuan ndryshimet e mëdha demokratike.

Njëri prej atyre ndryshimeve solli një produkt të suksesshëm të politikës shqiptare, një produkt i formuar nga ata pak studentë që dolën kundër rrymës. Bëhet fjalë për FRESSH-in, Forumin Rinor Eurosocialist i Shqipërisë.

Ndërsa në protestat e dhjetorit studentët tuboheshin në Qytetin e Studentit, për të brohoritur pro Partisë Demokratike, një grup i vogël antikonformistësh shkuan dhe formuan një grupim të dytë, alternativ, i cili do të bëhej një shkollë e politikës shqiptare dhe një simbol i tranzicionit të Partisë së Punës në një forcë të krahut të majtë.

Nga gjiri i kësaj organizate dolën të paktën dy kryeministra, Pandeli Majko dhe Ilir Meta, si dhe shumë ish-ministra të tjerë. Në studion e Sokol Ballës, në “Top Story”, themelues të kësaj lëvizje dhe të tjerë që kanë dëshmuar në rol protagonist shndërrimin e saj, folën për të shkuarën dhe për të ardhmen e saj.

Pandeli Majko, njëri prej gjashtë themeluesve të parë, në një linjë direkte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pret të emërohet në një detyrë të rëndësishme të OKB-së, kujtoi: “Nuk mendoj se duhet të lidhemi sot vetëm me faktin që u bëmë protagonistë kryesorë të reformimit të së majtës. Kjo nisi që me Kongresin e dhjetë të PPSH, që orientoi këtë reformim. Gjashtë persona, unë, Ilir Zela, Ndre Legisi, Ilir Meta, Monika Kryemadhi (e cila ishte gjithashtu e ftuar në studio) ishim pjesë e një brezi që i dha një zgjidhje me dhjetëra e qindra mijëra familjeve të majta shqiptare. Ishte një zgjim i njerëzve që i bashkoi më shumë se një program i përbashkët politik, por një marrëdhënie miqësore shembullore, ndonjëherë që shkonte edhe përtej kësaj, pasi shumë anëtarë të asaj lëvizje e kanë gjetur njeriun e jetës në radhët e FRESH-it. Dhe ishte një model që fillimisht lindi jashtë Partisë Socialiste, për t’u integruar më pas në të”.

Duke folur për simbolikën dhe domethënien që pati në atë kohë kjo lëvizje, Majko kujtoi: “FRESSH-I ishte organizatë e pjestarëve të një brezi të veçantë, por që bënë një zgjedhje shumë të veçantë. Në një moment kur të gjithë po shkonin drejt së djathtës, ne u bëmë një zgjidhje për një kontradiktë të madhe të shumë familjeve të majta midis prindërve dhe fëmijëve. Midis gjërave më të ndjeshme, ngjarja që më ka prekur më shumë dhe që e mbaj mend edhe sot shumë të gjallë në kujtesë, ishte festimi për herë të parë i 5 majit në kohën e demokracisë… 5 maji 1992 ka qenë një moment shumë vendimtar, se di si e kujtojnë kolegët, por leja na u dha për në Pallat Kongresesh vetëm një orë e gjysmë përpara dhe s’mund ta imagjinoni se çfarë presioni kemi patur. Ajo ishte një datë vendimtare dhe shumë e rëndësishme për të majtën shqiptare”.

Nga Nju Jorku, Majko nuk harroi të transmetonte mesazhin e tij të vërtetë. “Personat që kanë dalë nga radhët e FRESSH-it, janë mishërimi i një “kushtetute” të Partisë Socialiste, e cila krijon një trashëgim në politikën shqiptare, por nuk lë pas trashëgimtarë. Ardhja në moment të vështirë të studentëve që shënuan një ndryshim të madh, s’ka për t’u harruar kurrë. FRESSH ishte një akademi e politikës, që duhet të kujtohet për shumë gjëra të rëndësishme që ka bërë”.

A mund ta ringrejnë të rinjtë imazhin e kësaj lëvizje? “Mendoj se çdo brez ka në fakt një problem, që të vjetrit i quajmë jashtë mode, e të rinjtë naivë dhe të paplotësuar. Mendoj se kjo duhet parë siç është, por në çdo rast, shtresa e studentëve, nuk duhet harruar se është përkthyesja më e mirë e interesave të të ardhmes. Dua të theksoj respektin për atë masë anonimësh që na bëri neve politikanë, ata miq, vëllezër dhe motra që meritonin emrin e eurosocialistit”, theksoi Majko.

Nga ana e tij, Ilir Zela, një ish-kryetar i FRESSH-it, e cilësoi strukturën si “një platformë e suksessme e tërheqes së rinisë në angazhimin politik”. Sipas tij, “nuk mund të ketë një parti politike të suksesshme, pa një sinkron të interesave të saj me interesat e rinisë. Rinia studentore dhe rinia në përgjithësi, janë forca që çdo parti politike duhet t’I marrë parasysh nëse dëshiron të jetë e suksesshme”.

I pyetur për atë dalje kundër rrymës, në ato vite të vështira, Zela argumentoi se: “FRESSH u bë shpejt streha e vetme për të gjithë të rinjtë reformatorë, pasi ajo që nisi si partia e vërtetë e studentëve, ajo demokratike, u bë shumë shpejt një lëvizje e ish-komunistëve. Kur ne filluam të mendonim për një lëvizje politike e majtë, PD e kishte humbur çdo lloj lidhje me atë të dhjetorit, studentët ishin shmangur në masë të madhe nga pjesëmarrja në politikën e asaj kohe”.

Gjergji Koja, edhe ai një ish-kryetar i FRESSH-it, foli edhe ai për domethënien e lëvizjes që ai kryesoi. “Ne jemi këtu pasi lidershipi i PS-së, ka vendosur të bëjë një përkutjim të 20 vjetëve histori politike dhe unë mendoj se kjo është një zgjedhje shumë e mirë. Megjithatë, nuk do të mblidhemi për të kujtuar këto 20 vjet histori me nostalgji dhe për të treguar se si luftonim atëherë. FRESSH është historia e një akademie politike, që ka të gjitha anët që mund të ketë një histori politike, shumë e ngjeshur, me shumë beteja të fituara, por edhe disa të humbura”.

Megi Ajtyresa, ka qenë edhe ajo një figurë e rëndësishme e FRESSH-it, sidomos e asaj lëvizje të kohës së tranzicionit dhe të rënies së rëndësisë së saj. Njeriu që udhëhoqi strukturën në periudhën 2006-09, kundërshton idenë se FRESSH për momentin ka humbur çdo rol dhe ka nevojë për ri-FRESH-in e domosdoshëm.

“FRESSH është një organizatë që jep energji dhe shpirt çdo njeriu që është brenda dhe jo më drejtuesve të tij. Unë nuk bie dakord që FRESSH po përjetoi rënien e tij. Ishte një lloj ndryshimi në filozofinë e të menduarit të këtij intitucioni. Nëse e vendosim në kohë, FRESSH-i 1991 s’mund të ishte ai i 2006 dhe as ai  pushtetit… Drejtues si Meta, Monika dhe antarët e FRESSH në kohën kur socialistët ishin në pushtet kishin një lloj fuqi të madhe. Në këtë lloj rrjedhje do të shikohej struktura me një look tjetër, me pamjen e opozitë, me filozofi dhe gjithçka të re. Në drejtimin tim, doja që të rinjtë të ndiheshin të rinj me të vërtetë dhe jot a shihnin FRESSH-in si një vend të mirë për të gjetur punë”.

Erjon Veliaj, sekretari për rininë dhe emigracionin në Partinë Socialiste, vendosi theksin në atë që duhet të jetë dhe do të bëhet kjo lëvizje, në prag të 15 janarit, ditës së themelimit, që do të bashkojë 5 mijë të rinj eurosocialistë nga i gjithë vendi.

“Ju thoni që FRESSH ka ndryshuar. Shqipëria ka ndryshuar, por ka edhe diçka që ka mbetur njësoj. 21 vite më parë, Majko veçoi dy moment kryesore, i duhej leje nga Berisha për tubim dhe kur përgatiteshim për një referendum… Sot, duhet të marrësh leje sërish nga ai ndryshe vritesh në boulevard dhe është përsëri i njëjti moment, pasi përgatitemi për një referendum, ai kundër importit të plehrave. Nëse në 20 vjet Shqipëria ka ndryshuar, në të gjitha këto kanë ndryshuar, vetëm Berisha s’ka ndryshuar. Luajmë në një terren të pabarabartë. Pse FRESSH-I ka ndryshuar? Sepse në fillim Nano ishte në burg, u krijua një vakuum në lidership dhe të rinjtë patën më shumë hapësira. Sot, ky vakuum nuk ekziston më”.

Top Channel