Lejet e shfrytëzimit të ndërtesave

12/01/2012 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha është takuar me Shoqatën e Ndërtuesve ku ka dhënë lejet e shfrytezimit për 11 objekte si dhe u ka komunikuar një reduktim të numrit të dokumentacionit.

“Sot në do të japim lejet e përdorimit për 11 objekte që përfaqësojnë 385 apartamente banimi, 385 familje të cilave deri më tani u është mohuar e drejta e tyre e ligjshme për të patur tapitë e shtëpive, si dhe përfundimin e shpejtë të 25 objekteve të tjera që përfaqësojnë afër 1 mijë apartamente banimi pra në total 1300-1400 apartamente të cilave me këto akte u hapet rruga për një hipotekim të shpejtë. Nga 34 dokumente që duheshin deri më sot për të përmbyllur procesin, ne e kemi thjeshtuar atë në 18 dokumente”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Basha tha se nga 120 lejet e shfrytëzimit që u dorëzuan më parë në zyrat e regjistrimit të pasurive kanë marrë hipotekat 107 prej tyre, ndërkohë që të tjera janë në proces.

Por në një komunikatë për shtyp, këshilltarët socialistë në Bashki, thanë se këto leje ishin mbajtur peng nga hipoteka për arsye politike dhe sot qytetarëve u duhet kërkuar ndjesë për këtë.

Nga ana tjetër ndërtuesit i kanë kërkuar Bashës që të  këtë bashkëpunim, ndërmjet tyre dhe administratës së bashkisë, si dhe të konsultohen  edhe me ata për planin rregullues. Ndërtuesit insistojnë që të hiqet si kriter ndërtimi i objekteve të ulëta.

“Në planin urbanistik dhe zhvillimin në të ardhmen, të mund të ofrojmë si grupim privat, administratës publike, një zgjidhje, një mundësi, një ndihmë, një bashkëpunim që është gjithmonë në interesin tonë. Me pak kate, t’u thuash do ndërtojmë 3 kate në një shtëpi me qerpiç, nuk ka për të funksionuar, do ngelet sic është, do e mbajmë Tiranën sic është”, thotë kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi.

Kryetari i bashkisë, Lulzim Basha tha se do t’i konsiderojë ndërtuesit si partnerë të rëndësishëm.

Top Channel