”Gjyqësori, fare pak i korruptuar”

12/01/2012 00:00

Në sistemin e drejtësisë ekziston një nivel korrupsioni, por në gjyqësor ai është shumë herë më i vogël se ai që percepton publiku.

Sipas Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi mes 375 gjyqtarëve në vend, shumica e tyre punojnë me përkushtim ndaj ligjit dhe kushtetutës, ndërsa  pjesa tjetër e të korruptuarve është në pakicë.

Vetëm për vitin 2011, gjatë kontrolleve të Ministrisë së Drejtësisë kanë rezultuar me shkelje 10 gjykatës dhe 14 prokurorë.

“Është një pjesë e vogël, jashtëzakonisht e vogël e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët e fillojnë dhe e mbarojnë ditën e punës duke krijuar favore personale dhe financiare. Pikërisht misioni i të gjithë reformës në drejtësi, misioni i inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë, i Ministrit të Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë është që këtë pakicë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët prishin sistemin, të përballen me ligjin, të përballen me drejtësinë, të përballen me përgjegjshmërinë e tyre ndaj ligjeve dhe Kushtetutës”, deklaroi ministri Halimi.

Gjatë analizës vjetore të Ministrisë së Drejtësisë i pyetur nga gazetarët për marrëdhëniet me Prokuroren e Përgjithshme dhe institucionin që zonja Rama drejton, ministri Halimi e konsideroi si një komunikim shkresor.

“Komunikimi shkresor dhe institucional me Prokurorinë e Përgjithshme është aq i shpeshtë sa me asnjë institucion tjetër. Pra unë dhe Prokurorë e Përgjithshme shkëmbejmë me njëri-tjetrin dhjetra letra, të cilat kanë të bëjnë me pjesën e bashkëpunimit institucional, gjyqësor, kanë të bëjnë me luftën ndaj krimit. Sigurisht në momentet e inspektimit, askujt nuk i pëlqen të kontrollohet, por ajo që duhet të na udhëheqë është zbatimi i Kushtetutës”, u shpreh Halimi.

I pyetur nga gazetarët për inspektimet për cështjen ndaj Aldo Bares, dosjen Xhuvani dhe atë të vjedhjes në dhomën e provave të Gjykatës së Krimeve të Rënda, zoti Halimi theksoi se kanë përfunduar konkluzionet e inspektimit, por pritet reagimi edhe nga institucionet e tjera.

Duke prezantuar prioritetet e 2012-s, zoti Halimi theksoi se ky vit do të jetë viti i dixhitalizimit të drejtësisë që nga sistemi i regjistrimit audio për cdo proces, vendosja e video-kamerave për të bërë gjyqet transparente, dixhitalizimi i noterisë si dhe implementimi i mbikëqyrjes elektronike për të dënuarit.

Top Channel