Deputeti socialist Damian Gjiknuri, që në parti mban edhe postin e sekretarit për cështjet zgjedhore, flet për momentin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

Zoti Gjiknuri thotë se në tre raundet e para të votimit pjesëmarrja e 84 deputetëve është e domosdoshme jo vetëm për ta zgjedhur Presidentin, por edhe për t’i zhvilluar vetë seancat. Sipas zotit Gjiknuri, kuorumi i cilësuar del nga interpretimi i frymës së Kushtetutës.

“Për kryetarin e shtetit shqiptar, që është figurë e unitetit, ka vullnet përtej një mazhorance të thjeshtë. Po të interpretosh Kushtetutën, ka vend për të diskutuar, në vecanti për figurat e shtetit. Fakti që parashikohen tre raunde me shumicë të cilësuar tregon se Kushtetuta e ka pasur parasysh konsensusin. Ndryshe nuk kishte përse këto tre raunde të qendronin”, deklaron Gjiknuri.

“PS është shprehur se është për një dialog për të zgjedhur një figurë konsensuale. Nuk duam të bëjmë një luftë votimi në Parlament pa gjetur më parë një figurë të tillë. Për ne, dërgimi i cështjes në gjykatë është një debat i parakohshëm. Tani e rëndësishme është që të ulemi e të dialogojmë, pa paragjykuar asnjë emër. Cështja për t’i kërkuar mendim gjykatës është dicka që duhet parë, por në kohën e vetë”, thekson Gjiknuri.

Blof politik apo ajo, kjo mbetet për t’u parë. Por mesa duket socialistët nuk do të hapin një fron të ri, pa mbyllur më parë negociatat e vështira që po zhvillojnë paralelelisht me demokratët, për reformën zgjedhore.

Në të njëjtin mendim u shpreh disa ditë më parë edhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, sipas të cilit kuorimi prej 84 votash të ishte i domosdoshëm për të zhvilluar tre raundet e para të votimit për presidentin e Republikës.

Top Channel