Kapshticë, rinis puna

07/01/2012 00:00

Pas 4 orë bllokimi të pikës së kalimit kufitar të Kapshticës rikthehet në normalitet lëvizja. Me qindra mjete dhe autobusë të vendosur në radhë për shkak të një defekti në sistemin kompjuterik të palës greke kanë nisur të kalojnë drejt shtetit helen.

Gra dhe fëmijë për orë të tëra kanë qendruar në temperatura të ulta prej mëngjesit të kësaj të shtune në pritje për të kaluar kufirin duke refuzuar kthimin mbrapa.

Pas njoftimit të dhënë nga pala greke për prishje të sistemit kompjuterik autoritetet doganore shqiptare kanë kërkuar menjëherë takim për zgjidhjen e problemit. Pas takimit me homologët është arritur që të rinisë puna fillimisht me regjistra deri në rregullimin e defektit.

Megjithatë qendrimi në mes të borës për emigrantët ka qenë tepër i vështirë, por për shumë prej tyre ka qenë i pamundur edhe kthimi.

Fundjava sipas autoriteteve është ajo që do të shënojë valën e fundit të rikthimit të emigrantëve nëpër vendet ku jetojnë e punojnë. Sipas tyre pritet një rritje e fluksit për shkak se e hena shënon nisjen e shkollave në shtetin grek, por edhe fillimin e punës për shumë prej atyre që jetojnë në vendin fqinj.

Top Channel