Ekonomia u tkurr gjatë tremujorit të zgjedhjeve

05/01/2012 08:25

Prodhimi i Brendshëm Bruto në Shqipëri u ul me 1.7 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2011 në krahasim me tremujorin e parë dhe shënoi një rritje minimale prej vetëm 0.5 për qind në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2010, duke konfirmuar kështu vështirësitë ekonomike që u dalluan në tregues të tjerë ekonomikë si indeksi i shitjeve me pakicë apo të ardhurat e buxhetit të shtetit.

Instituti i Statistikave e publikoi rezultatin e ecurisë së PBB-së për tremujorin e dytë 2011 në 30 dhjetorin e kaluar, me 3 muaj vonesë nga data e paralajmëruar.

INSTAT njoftoi gjithashtu se, vlerësimi paraprak i rritjes ekonomike për tremujorin e tretë 2011 do të publikohet në ditët e ardhshme.

Ndërkohë, rritja prej 0.5 për qind në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2010 erdhi si pasojë e rivlerësimit më të ulët për periudhën paraardhëse.

Vlerësimi fillestar për tremujorin e dytë 2010 fliste për rritje vjetore prej 3.3 për qind, ndërsa rivlerësimi dha rritje vjetore prej 2.8 për qind.

Duke qenë se krahasimi i tremujorit të dytë të këtij viti u krye me bazë shifrën e rivlerësuar në ulje të vitit 2010, atëherë rezultoi një rritje, sado që minimale.

Rënia e PBB-së në krahasim me tremujorin e mëparshëm është një fenomen që ka ndodhur rrallë në Shqipëri. Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2011 në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet për pushtetin vendor dhe zgjedhjet historikisht shoqërohen me rritje ekonomike në vendin tonë, për shkak se qeveria shpenzon më shumë para dhe kandidatët investojnë për të ngritur infrastrukturën elektorale.

Sektori më pozitiv gjatë këtij tremujori rezultoi transporti, ku rritja erdhi kryesisht si pasojë e efektit të liberalizimit të vizave dhe numrit të madh të shqiptarëve që vizituan të afërmit jashtë vendit. Industria shënoi rënien më të madhe, ku mungesa e prodhimit masiv të energjisë elektrike qe njëri prej shkaqeve.

Top Channel