Fillon gara për licencën e tretë 3G

29/12/2011 00:00

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare mori dje autorizimin
nga ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të
Komunikimit, Genc Pollo, për hapjen e garës për dhënien e licencës së
tretë të teknologjisë 3G në Shqipëri.

Licenca 3G i jep të drejtë kompanive të transmetojnë të dhëna në shpejtësi të lartë për shërbim telekomunikimi zanor, vizual, TV apo lundrim në internet. Aktualisht në Shqipëri ka dy licenca të tilla. Ekspertët e fushës thonë se posedimi i një licence 3G është domosdoshmëri për të gjithë operatorët e telefonisë celulare për shkak se në të ardhmen, bisedat duke përdorur internetin mund të zëvendësojnë bisedat tradicionale.

Tenderi për dhënien e licencës së tretë do të ketë sërish një çmim bazë prej 12.5 milionë eurosh, ndërkohë që licencat e mëparshme janë shitur për 31.4 milionë euro dhe 15.1 milionë euro.

Në të dyja rastet, vlera e shitjes së licencës u konsiderua si shumë e lartë nga ekspertët në raport me xhiron e pritshme nga ky shërbim, por kompanitë pranuan të paguajnë çmim të lartë me qëllim që të kenë veprimtari në tregun e internetit, i cili mund të zëvendësojë në të ardhmen tregun e telefonisë celulare të brezit të dytë. Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare, deri në fund të gjashtëmujorit të parë në Shqipëri kishte rreth 150 mijë lidhje interneti me bazë të gjerë, nga të cilat, rreth 10 mijë qenë biznese.

Një në pesë familje kanë aktualisht lidhje interneti dhe xhiroja e përgjithshme e këtij tregu vlerësohet në rreth 30 milionë euro xhiro në vit. Ndërkohë, një pjesë e madhe e shqiptarëve kanë akses në internet përmes rrjetit celular të brezit 2.5 të njohur si GPRS/EDGE. Numri i shqiptarëve që lundruan në internet në këtë mënyrë, u ul në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në 832 mijë vetë nga 1.2 milionë që patën qenë në vitin 2010. Ndërkohë, shërbimi broadband 3G përdoret nga 112 mijë shqiptarë, nga të cilët rreth 13 mijë e përdorin përmes kartës modem për të furnizuar me internet kompjuterët, ndërsa pjesa tjetër e përdor vetëm për të lundruar përmes aparateve të telefonisë celulare.

Top Channel