Në Kosovë vazhdon të përbëjë një shqetësim konkret fati i personave të pagjetur, që kur kanë kaluar 12 vjet nga përfundimi i luftës llogaritet të jenë 1786.
Shefi i komisionit qeveritar për të pagjeturit, Prenk Gjetaj ka deklaruar për RTK se institucionet shtetërore vazhdojnë të punojnë për këtë cështje, të cilën po përpiqen ta trajtojnë edhe në bisedimet e ndërmjetësuara nga Brukseli.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe takimeve të ndërmjetësuara nga Kryqi i Kuq, zgjidhja e kësaj cështjeve ka edhe shumë probleme.
“Edhe pse kemi përgatitur një platformë dhe është bërë gati delegacioni i posacëm për këtë cështje, përvec një takimi fillestar nuk kemi pasur asgjë tjetër”, ka deklaruar Gjetaj.
Megjithatë, ka shtuar ai, grupi ka marrë premtimin e shefes së delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë se cështja do të shtrohet në raundin e radhës.
Gjithësesi, me përpjekje ose jo, cështja e personave të pagjetur mbetet një plagë për institucionet kosovare, të cilat nuk kanë mjetet e duhura, si ato materiale ashtu edhe ato financiare, për ta zgjidhur atë.
Kërkesat kryesore për palën serbe lidhur me këtë cështje janë: Fuqizimi i procesit me ndërmjetësimin e BE; angazhimi më i madh i dy qeverive; dhe kontrolli i zonave ku dyshohet se ndodhen varrezat masive.
Por Gjetaj ka nënvizuar se Bashkimi Evropian nuk dëshiron që në procesin e bisedimeve për cështjet teknike të përfshihet edhe cështja e personave të pagjetur.
Ndërkohë, ekspertët e Departamentit të Mjekësisë Ligjore të misionit EULEX kanë në plan të mbikëqyrin më shumë se 30 zona të dyshuara gjatë vitit që vjen.
Top Channel