Shteti Islamik në Irak, sic njihet ndryshe dega irakene e Al Kaedës, ka marrë përsipër online përgjegjësinë për atentatet e së enjtes së kaluar, që shkaktuan mbi 60 të vdekur dhe 180 të plagosur.
Organizata terroriste deklaron se bëhet fjalë për një fushatë kontrasti ndaj planeve hegjemonike të Iranit shiit, bën të ditur Site, qendra amerikane për mbikëqyrjen e faqeve islamike të internetit.
“Shteti Islamik në Irak e di ku dhe kur duhet të godasë dhe muxhaheidinët nuk do të qendrojnë duarkryq teksa projekti i rrezikshëm iranian po bëhet gati për të treguar fytyrën e tij të shëmtuar”, thuhet në deklaratë.
Më 22 dhjetor një seri sulmesh të koordinuara me bombë tronditën kryeqytetin e Irakut, Bagdad, duke vrarë të paktën 68 persona dhe duke plagosur mbi 185 të tjerë.
Autoritete nga Ministria e Brendshme irakene deklaruan se gjithësej u sulmuan 13 lokacione, përfshirë Al Amilin, në jug të kryeqytetit, dhe Halauin e Karradën, në afërsi të qendrës.
Atentatet e së enjtes ishin më të rëndat që regjistroheshin ndër muaj në Irak dhe ndodhën në një moment frike për rritjen e tensioneve sektare dhe për një shpërbërjen e qeverisë së unitetit.
Shpërthimi i bombave mbetet në rend të ditës në Irak, edhe pse dhuna sipas autoriteteve ushtarake amerikane ka rënë ndjeshëm që pas vitit 2006, kur dhe arriti pikun.
Ish-zëvendëspresidenti i Irakut, Tariq al-Hashemi, cilësoi kryeministrin Nouri al Maliki si fajtor për shpërthimin e papritur të dhunës në vend.
Hashemi, ndaj të cilit është vendosur një mandat-arresti për akuzën e bashkëpunimit me grupe terroriste, u shpreh se “Maliki duhet të përqendrohet tek rikthimi i stabilitetit në vend dhe jo tek gjuetia ndaj politikanëve patriotë”.
Top Channel