Penian, delegacioni nga Seuli takon liderin e ri

26/12/2011 17:00

Ish-zonja e Parë e Koresë së Jugut dhe delegacioni koreano-jugor që mbërriti në Korenë e Veriut për të shprehur ngushëllimet për vdekjen e Kim Jong-il, u takuan me në Penian me liderin e ri të vendit komunist, Kim Jong-un.

Lajmi njoftohet nga autoritetet në Korenë e Jugut. Ministria për Ribashkimin e Korëse, njoftoi nga Seuli se ish-Zonja e Parë, Lee Hee-ho dhe delegacioni me të cilin ajo mbërriti në Penian, pjesë e të cilit janë dhe disa ndër biznesmenët më të fuqishëm koreano-jugorë, ka patur një takim të shkurtër, rreth 10 minuta me Kim Jong-un, të cilit i kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta në moshën 69-vjecare të babait të tij, Kim Jong-il.

Lee Hee-ho është bashkëshortja e ish-presidentit koreano-jugor, Kim
Dae-jung, i ndarë nga jeta në vitin 2009. Ai mbahet mend për politikën e
tij të “zbutur”, humanitare dhe përpjekjet e vazhdueshme për të
normalizuar marrëdhëniet me Veriun komunist, ndërkohë që kompania
Hyundai është bërë nismëtare e një sërë politikash për bashkëpunim
ekonomik me Korenë e Veriut.

Megjithëse dha njoftimin, Seuli zyrtar u kujdes të nënvizonte se vizita e ish-zonjës së Parë është një vizitë private dhe nuk ka kurrëfarë mesazhi politik, e aq më pak porosi politike prej autoriteteve koreano-jugore.

Koreja e Veriut pranoi dy delegacione nga Koreja e Jugut për të qenë të pranishëm për ngushëllime në funeralin e Kim Jong-il. Por si pjesë e delegacionit janë vetëm figura të njohura në botën e biznesit dhe veprimtaritë humanitare, si ish-zonja e Parë, Lee Hee-ho dhe presidenti i markës së automjeteve Hyundai, dhe mungojnë emrat politikë apo të zyrtarëve të tjerë të lartë në Korenë e Jugut. Seuli më herët pati deklaruar se nuk do të dërgojë përfaqësues nga politika për të nderuar vdekjen e Kim Jong-il.

Zyrtarisht dy Koretë janë në gjendje lufte me njëra-tjetrën që pas ndarjes në dy shtete, Veriun komunist dhe Jugun demokratik, pas Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel