“Transformers 3”, filmi me më shumë gafa

26/12/2011 12:45

Faqja moviemistakes.com ka publikuar një listë me filmat e vitit 2011 ku ka më shumë gabime. Fituesi është “Transformers 3” me 58 gabime. Gjatë 154 minutave, në këtë film janë bërë gabime të shumëllojshme duke filluar që nga skenari, garderoba, konteksti historik etj.

Një nga gafat më të komentuara është në fillim të filmit, ku personazhi Carly, i interpretuar nga aktorja Rosie Huntington-Whiteley, po ngjit shkallët me një pelerinë të bardhë, por kur kamera ndërron plan, pelerina zhduket.

Spektatorët janë ankuar edhe për faktin se gjatë skenave të aksionit në film, aktorja prek shumë objekte të pista, por fustani i saj gjithsesi mbetet me një bardhësi shkëlqyese.

Gjithashtu, filmi ka edhe gabime historike. Në një nga skenat e fillimit, shfaqet Very Large Array në vitin 1961. Bëhet fjalë për observatorin e Nju Meksikos që në fakt është ndërtuar në vitin 1978.

Edhe filmi “Piratët e Karaibeve 4” nuk mbetet pas. Ky film ka 48 gafa që lidhen me uniformat e ushtarëve dhe flamujt që shfaqen në film.

Në vend të tretë renditet filmi “X-Men-First Class”. Nga 30 gafat e filmit bie më shumë në sy skena ku në kaskën e njërit prej protagonistëve reflektohet qartë një nga mikrofonët e mbajtur nga pjesëtarët e xhirimit.

Top Channel