Shkurtimi i taksave, Obama mund Kongresin

23/12/2011 18:20

Kongresi amerikan ka aprovuar një ripërtëritje afatshkurtër të shkurtimit të listës së taksave mbi pagat, një ditë pasi Dhoma e Republikanëve ushtroi një presion të fortë mbi cështjen.

Projekti zgjat shkurtimet e taksave ashtu si dhe sigurimet e papunësisë për dy muaj. Ligjvënësit votuan me zë mbi marrëveshjen, që kërkonte praninë e vetëm pak prej tyre.

Një komitet i përbashkët do të punojë për një marrëveshje njëvjecare pas pushimeve për festat e fundvitit. Projekti tani do t’i kalojë presidentit Barack Obama për t’u kthyer në ligj.

Marrëveshja mban të pandryshueshme shkurtimin e taksave që kursen cdo vit rreth 1 mijë dollarë të ardhura për frymë dhe parandalon humbjen e përfitimeve për rreth 2 milionë persona, që marrin rreth 300 dollarë në javë.

Senati dhe liderët e Dhomës së Demokratëve emëruan të premten anëtarët e komitetit që është ngarkuar me detyrën e zgjatjes së kompromisit në një variant njëvjecar.

Ndërsa të enjten, Spikeri i Dhomës së Republikanëve, John Boehner u tha anëtarëve të partisë së tij për këtë kthesë në një konferencë të brendshme, ku ata nuk mund të bënin pyetje.

Vendimi për të “bërë kthesë” është një tërheqje e rrallë e republikanëve, të cilët që kur morën kontrollin e Dhomës në zgjedhjet afatmesme të 2010-ës kanë refuzuar një sërë koncesionesh të bëra nga Shtëpia e Bardhë.

Konservatorët fillimisht ishin skeptikë për zgjatjen e shkurtimit të listës së taksave mbi pagat, për të cilën ekonomistët thonë se do të ndihmojë rimëkëmbjen ekonomike të Shteteve të Bashkuara.

Top Channel