Rusët, tjetër sfidë kryeministrit Putin

23/12/2011 21:55

Mijëra tullumbace, një milion fletushka, dy podiume, drita, erkane gjigande, altoparlante dhe një transmetim online, me liderë të zgjedhur përmes internetit për t’i dhënë grintë turmës.

Është kjo protesta masive e parashikuar të zhvillohet të shtunën paradite kundër kryeministrit rus Vladimir Putin dhe mashtrimeve në zgjedhjet e fundit legjislative.

I gjithë plani organizativ i protestës ka kushtuar 4 milionë rubli, ose 100 mijë euro, të mbledhura nga aktivistët, të cilët do të tubohen nesër pranë sheshit të tre stacioneve.

Shumën më të lartë, 600 mijë rubli, ose 15 mijë euro, e ka derdhur një funksionar publik i njohur rus, ka bërë të ditur gazetarja Olga Romanova, e cila nuk e ka publikuar emrin.

Rreth 50 mijë vetë, të paktën deri tani, të regjistruar në ëeb, baraz me numrin e autorizuar nga autoritetet dhe atij të shtuar më 10 dhjetor në sheshin Balotnaia, ku protesta kishte kaluar kufijtë e improvizimit.

Gjithësesi, të shtunën pjesëmarrësit mund të jenë shumë më tepër, madje edhe mbi 100 mijë, sipas një sondazhi të kryer nga një institut, duke sfiduar temperaturat nën zero dhe dëborën.

Protesta premton, përvecse fotove të presidentit të ndjerë cek Vaclav Havel, parulla ironike për t’iu përgjigjur kryeministrit Putin, i cili kishte përdorur fjalë ofenduese ndaj manifestuesve.

Ai kishte thënë se i kishte ngatërruar shiritat e bardhë, simbol i manifestimit, me prezervativë dhe kishte krahasuar liderët e opozitës me ata të një tribuje majmunësh të “Librit të Xhunglës” të Rudyard Kiplin.

Mes parullave më të spikatura në internet, apo për t’u vendosur tek tullumbacet janë “Nuk na përfaqësoni” dhe “Na keni mashtruar”.

Online janë zgjedhur edhe personat që do të mbajnë fjalime në podiume, gjithësej rreth 30, mes të cilëve presidenti i fundit i Bashkimit Sovietik, Mikhail Gorbaciov.

Gorbaciov ka ndërmend të marrë pjesë nëse do t’ia lejojë gjendja e tij shëndetësore, ka deklaruar zëdhënësi i tij Vladimir Poliakov.

Në krye do të jenë gazetari Leonid Parfionov dhe këngëtari i muzikës rock, Iuri Shevciuk, që do të transmetojnë një video-mesazh, si dhe avokati Alexiei Navalny, blogeri më i njohur rus anti-Putin, që u lirua nga burgu pak ditë më parë. 

Top Channel