Ideja e rishikimit të teksteve shkolloretë historisë së Kosovës, sidomos në raport me Perandorinë Osmane, tashmë po bëhet realitet.
Ragim Gjoshi, këshilltar politik i Ministrit të Arsimit, Ramë Buja, në një intervistë për Top Channel ka “zbuluar”se tashmë është formuar Komisioni që do të merret me këtë çështje.
Ka qenë Ministri i Arsimit të Turqisë që kur në verë vizitoi Kosovën e bëri publike kërkesën e tij për të rishikuar pjesët ku flitet për Perandorinë Osmane. Por, Gjoshi thotë se ky nuk është një vendim i nxitur nga deklarata e ministrit turk, por se ky është një detyrim që del nga Këshilli i Europës, që të rishikohen tekstet shkollore nëse në to ka fjalë fyese për popujt tjerë.
“Kërkesa për ndryshimin e të shkruarit të historisë buron që nga viti 2005 me një vendim të Këshillit të Europës, të cilët janë të interesuar që të lirohemi nga tekstet që kanë përmbajtje fyese, ofenduese për popujt e caktuar. Dhe ne këtij parimi i përmbahemi. Ka pjesë të caktuara të etapave të rëndësishme të historisë që duhet rishikuar dhe rishkruar, por jo të korrigjohet imazhi i pushtuesve”, thotë Ragip Gjoshi, Këshilltar politik, MASHT, Kosovë.
Në Ministrinë e Arsimit ndonëse nuk bëjnë publik emrat e anëtarëve të Komisionit deklarojnë se ai është i përbërë nga njerëz profesionalë dhe të fushës përkatëse.
Por, drejtori i Institutit të Historisë së Kosovës, Jusuf Bajraktari, deklaron për Top Channel se askush nuk i ka kontaktuar, për çfarë ndjehet i habitur. Ai është që të bëhen rishikime, mirëpo thotë që në tekstet shkollore nuk ka shprehje fyese.
“Kjo më habit mua, që pas sa muajve të dilet në përfundim se gjoja është formuar komisioni për shyqrtimin e materieve të teksteve shkollore. E them me ndërgjegje të plotë se në tekstet tona është punuar me vetëdije, me një dëshirë për të vlerësuar ngjarje dhe figura në periudha të caktuara të historisë në bazë të atyre kurrikulave që edhe ashtu kanë qenë të rrudhura”, tha Jusuf Bajraktari, Drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës.
Megjithë këtë, sipas këshilltarit Gjoshi, Komisioni i Ministrisë nuk është i varur nga asnjë shtet tjetër në punën që do të kryejë, dhe se presin që deri në vitin 2015 të përfundojnë të gjitha punët.
“Tërësisht hartimi i teksteve është në duart tona dhe ne nuk kemi nevojë t’i raportojmë askujt për punët tona që nga obligon Kushtetuta. Besojmë që viti 2015 do të jetë vit përfundimtar i aplikimit të tërësishëm (sepse ajo fillon nga klasa e parë dhe e pestë) të ndryshimeve sepse ajo shkon shkallë-shkallë, në mënyrë suksesive, dhe ajo do të ndërtohet tërësisht deri në vitin 2015”, shtoi Ragip Gjoshi, Këshilltar politik, MASHT, Kosovë.
Sidoqoftë, gjatë verës së këtij viti deklarata e Ministrit të Arsimit të Turqisë, Omer Dinçer për ndryshimin e historisë ka nxitur debat jo vetëm tek bota akademike e Kosovës, por edhe më gjerë ku jetojnë shqiptarët.
Top Channel