“Lufta e Ftohtë”, Turqi-Francë

23/12/2011 21:55

Retorika e akuzave dhe kundër-akuzave mes Francës dhe Turqisë që lindën pas kalimit nga parlamenti francez të ligjit që e cilëson si genocid vrasjen nga ana e ish-perandorisë Osmane të armenëve në vitin 1915, merr përmasa edhe më të mëdha.

Ankaraja zyrtare, nuk e ka kapërdirë dot kalimin e ligjit. Përveç tërheqjes së ambasadorit nga Parisi dhe ngrirjes së marrëdhënieve diplomatike, Turqia vazhdon të sulmojë Francën për këtë hap të ndërmarrë. Ka qenë vetë kryeministri turk, Recep Taip Erdogan ai që ka akuzuar Francën për genocid, duke rikujtuar gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Stamboll, masakrat e francezëve në Algjeri.

“Në Algjeri 15 përqind e popullsisë së vendit u shfaros prej Francës që nga koha e pushtimit të saj deri në vitin 1945. Ky është genocid. Algjerianët u varrosën në varre masive, u masakruan pa mëshirë. Nëse presidenti francez Nikolas Sarkozy nuk e di këtë fakt, ndoshta duhet të pyesë babain e tij, Paul Sarkozy që ka qenë pjesë e legjioneve franceze në Algjeri në vitet 1940”, tha Erdogan.

Menjëherë pas kësaj deklarate të kryeministrit turk ka reaguar Ministria e Jashtme franceze. Në një komunikatë për mediat, Parisi dënon, sic i quan ai, sulmet personale (ndaj Nikolas Sarkozy) që nuk ndihmojnë në marrëdhëniet dypalëshe në interes të të dy popujve.

“Franca merr përsipër njohjen dhe përkujtimin me transparencë të plotë të tragjedive historike të shkaktuara e të pësuara prej saj”, thuhet në deklaratën e diplomatëve francezë.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe, i cili personalisht kishte kundërshtuar kalimin e ligjit që cilësonte si genocid nga ana e Turqisë masakrën ndaj armenëve në vitin 1915, ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe qetësi.

Armenia pretendon se mbi 1 milion civilë u masakruan nga ushtritë otomane gjatë Luftës së Parë Botërore, ndërsa Turqia ul këtë shifër në 300 mijë, por duke shtuar se gjatë luftës kanë humbur jetën edhe mijëra turq, kur në Turqinë Lindore hynë forcat ruse dhe ato të kryengritësve armenë.

Top Channel