Filipinë, një mijë të vdekur e po aq të zhdukur

23/12/2011 09:40

Më shumë se një mijë persona janë shpallur të humbur në Filipinë, lajmëruan autoritetet e vendit të goditur nga një tajfun shkatërrimtar gjatë javës së shkuar.

Më shumë se një mijë të tjerë janë konfirmuar të vdekur nga stuhia dhe përmbytjet që goditën kryesisht ishullin e Mindanaos. Lagje të tëra në qytetet e Kagajanit dhe Iliganit janë fshirë nga faqja e dheut.

Në raportin e mëparshëm, numri i të humburve ishte llogaritur në 51, por zyrtarët nuk kishin përfshirë në to fshatarët që ishte zhvendosur për të punuar në qytet.

Sipas mediave vendase, familje të tëra mund të jenë shuar nga përmbytjet dhe nuk janë llogaritur ende midis viktimave, pasi askush nuk ka raportuar për zhdukjen e tyre. Vetë autoritetet pranojnë se raporti është paraprak dhe bilanci i viktimave duhet ende të përcaktohet.

Aktualisht, Manila zyrtare informon për 1 080 të vdekur, mbi një mijë të humbur, 338 mijë të zhvendosur dhe 10 mijë shtëpi të shkatërruara. Disa dhjetëra mijëra persona jetojnë prej ditësh në tenda, në kushte aspak të përshtatshme higjenike.

Top Channel