Analiza amerikane për gabimin në Pakistan

23/12/2011 10:15

Ushtria Amerikane pranoi publikisht gabimin e kryer në nëntor, kur një avion i telekomanduar bombardoi gabimisht dy kazerma ushtarake pakistaneze pranë kufirit afgan, duke shkaktuar vdekjen e 24 ushtarëve.

Në një deklaratë, Pentagoni shkruante se “sulmi u krye për qëllime vetmbrojtje”, por pranonte përgjegjësinë për mungesën e koordinimit me “aleatët” pakistanezë. Një zëdhënës ushtarak shprehu në një konferencë për shtyp “keqardhje të thellë” të ushtrisë amerikane për ngjarjen.

Megjithatë, një drejtues i lartë i ushtrisë pakistaneze, gjeneral-majori Athar Abbas, sulmoi deklaratën, duke thënë se ajo “nuk hedh dritë mbi faktet dhe sekuencën e ngjarjeve që çoi në bombardimin e kazermave”.

Islamabadi, një partner lokal në luftën kundër militantëve në rajon, ka kërkuar nga amerikanët një falje publike. “Koordinimi i papërshtatshëm midis ushtrisë amerikane dhe asaj pakistaneze pranë kufirit, si dhe një pasaktësi në sistemin e orientimit gjeografik solli një keqkuptim për vendndodhjen e kazermave të goditura, pasi më parë ishin marë informata se në zonë ndodheshin disa baza të terroristëve. Edhe një herë më shumë i shprehim keqardhjen tonë qeverisë dhe popullit të Pakistanit, por sidomos familjeve të ushtarëve që mbetën të vrarë ose të plagosur”, shkruhej në deklaratën e Pentagonit.

Në një reagim të njëkohëshëm, gjenerali i brigadës Spehen Clark, i cili ishte duke udhëhequr operacionin në zonë, u shpreh se forcat amerikane dhe ato afgane ishin duke vepruar pranë kufirit me Pakistanin, në kërkim të forcave militante të vendosura në një fshat kufitar. Sipas tij, përpara bombardimit të gabuar, në zonë ishin duke u zhvilluar luftime.

Top Channel