Analisti i cështjeve të Ballkanit, Tim Judah është shprehur pesimist për zgjidhjen e cështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë brenda një kohe të shkurtër.
Gazetari i prestigjozes britanike “The Economist”, në një intervistë për gazetën maqedonase “Utrinski” ka deklaruar se gjasat që Athina dhe Shkupi të gjejnë një zgjidhje së afërmi janë minimale, duke pasur parasysh krizën e rëndë ekonomike ku ndodhet Greqia.
“Mendoj se me këtë krizë ekonomike që po ballafaqohet Greqia, dritarja për mundësinë e zgjidhjes së cështjes së emrit do të jetë e mbyllur për vite të tëra”, ka thënë Judah.
Sipas tij, grekët nuk janë në pozitë për të negociuar për asgjë, pasi në krye të qeverisë ka ardhur një teknokrat që nuk është zgjedhur për t’u marrë me cështjen e emrit.
“Greqia ndodhet në një situatë të vështirë, kështu që edhe në një të ardhme të afërt nuk do të jetë në gjendje të negociojë rreth kontestit të emrit”, ka nënvizuar Judah.
Për më tepër, ka theksuar ai, kjo cështje zgjat prej shumë kohësh dhe ka lodhur edhe bashkësinë ndërkombëtare.
Më tej analisti britanik ka komentuar edhe projektin “Shkupi 2014”, duke vlerësuar se ngritja e përmendoreve në Maqedoni është një reaksion ndaj pakënaqësive të shkaktuara nga Greqia në lidhje me kontestin e shumëpërfolur.
Mosnjohja e termit “Republika e Maqedonisë” nga ana e Greqisë ka bërë që vendit ballkanas t’i bllokohet afrimi me Bashkimin Evropian, edhe pse Brukseli ka dhënë dritën jeshile për hapjen e negociatave.
Situata nuk ka ndryshuar edhe pse më 5 dhjetor Gjyka Ndërkombëtare e Drejtësisë pranoi padinë e Shkupit, duke penalizuar Greqinë për shkeljen e Marrëveshjes së Përkohshme të nënshkruar në vitin 1995.
Rreth një javë më parë, kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski akuzoi Greqinë se nuk është e interesuar për të zgjidhur kontestin dypalësh.
Top Channel