Nju Jork, dënohet pirati i “X-Men”

20/12/2011 13:10

Një gjykatë amerikane ka dënuar një qytetar të Nju Jorkut me një vit në një burg federal pasi vodhi dhe shpërndau në mënyrë pirate online filmin “X-Men Origins: Wolverine”, një muaj para shfaqjes në kinema.

Gilberto Sanchez, 49 vjec, që është dënuar edhe më parë për krime analoge, u shpall fajtor për ngarkim në internet të një materiali me të drejtë autori.

Në kopjen e siguruar nga 49-vjecari aktorët dukeshin ende me tela dhe kabllo që përdoren gjatë xhirimeve për skena aksioni, apo për të komunikuar.

Prokurori i cështjes deklaroi se filmi ishte shkarkuar qindra mijëra herë nga përdoruesit e internetit para se ai të shfaqej në ekranet e kinemasë.

Sanzhez pranoi transmetimin e filmit dhe publikimin e veprimit të tij në dy faqe interneti. Gjyqtari e dënoi atë edhe me një vit liri të mbikëqyrur për imponim të faqeve të internetit ndaj përdoruesve.

Duke folur në prill të vitit 2009, gjatë promovimit të filmit, aktori-protagonist Hugh Jackman deklaroi se, ndihej zemërthyer për këtë veprim.

Ai e krahasoi filmin e grabitur teksa ishte ende në përpunim si një makinë të tipit “Ferrari” që nuk ishte lyer ende me bojë. “Jam shumë i zhgënjyer. Me siguri shumë njerëz po shohin një film të papërfunduar”, deklaroi Jackman.

Ndërsa gazetari i faqes së internetit të Fox News, Roger Friedman humbi vendin e punës pasi kishte postuar online një recension të filmit të bazuar në një kopje të shkarkuar ilegalisht nga interneti.

Top Channel