“Mbroni urën dy shekullore”

17/12/2011 19:30

Dalja në sipërfaqe pak javë më parë e urës Kërcile në lagjen Perash të Shkodrës, pothuajse dy-shekullore ka tërhequr vëmendjen në këtë qytet.

Ura që ka vlera të mëdha historike rrezikon të shkatërrohet nga ndërtimi mbi të i një rruge të re. Ura e vjeter doli në sipërfaqe pas prishjes së ndërtimve për t’i hapur rrugë ndërtimit të unazës së qytetit.

“Është dëshpërues fakti që komuniteti u drejtohet njerëzve privatë sepse ka humbur përfundimisht shpresën tek institucionet. Kemi rastin unikal të një nyje trafiku të periudhës osmane të ruajtur deri më sot, dhe duhet të bëjmë maksimumin për ta ruajtur”, thotë studiuesi, Artan Lame.

Prej më shumë se 20 vjet, kjo urë me vlera arkitekturore ka qendruar e mbuluar nga ndërtimet pa leje, ndërsa Ministria e Kulturës nuk e ka futur në listën e monumenteve të kulturës.

“Kemi të bëjmë me një kompleksitet arkitekturial të cilin duhet ta kthejmë në një nga vendet më interesante përsa i përket anës arkitekturore të këtij qyteti”, deklaron arkitekti, Artan Shkreli.

Fatin e urës Kërcile mund ta kenë dhe shumë objekte të hershme historike dhe kulturore në Shkodër që gjenden të mbuluara nga ndërtimet me leje dhe pa leje gjatë dy dekadave të fundit.

Top Channel