Berisha: Integrimi prioritet, po bëjmë reformat

09/12/2011 18:45

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha ka dhënë një intervistë për televizionin francez “TV5 Monde”, ku ka shprehur interesin e Shqipërisë për të zgjeruar marrëdhëniet me Francën.

“Qëllimi im kryesor është të punoj me qeverinë franceze. Jemi gati të intensifikojmë marrëdhëniet ekonomike me Francën”, ka deklaruar Berisha.

Pasi ka shprehur ambicjen për kthimin e Shqipërisë në një superfuqi energjitike, kreu i qeverisë ka ritheksuar se prioriteti i tij kryesor është integrimi i vendit në strukturat evropiane. Berisha nuk ka përmendur data, por ka përmendur vendosmërinë e tij, si dhe besimin tek mbështetja e partnerëve evropianë, përfshirë Francën.

“Pikërisht, kjo do të jetë një temë e diskutimeve. Franca e ka mbështetur gjithnjë ambicien e Shqipërisë për integrimin evropian dhe për antarësimin në NATO. Ne kemi patur probleme, por ato janë zgjidhur, prandaj kemi nevojë për mbështetje për të përparuar edhe më shumë drejt Bashkimit Evropian”, ka pohuar Berisha.

Më tej kryeministri ka akuzuar opozitën se është përpjekur të pengojë procesin në fjalë, por që sipas tij dështoi duke humbur në zgjedhjet e fundit lokale.

“Në dy vjet opozita ka bërë gjithcka për të penguar procesin e integrimit, duke menduar se kjo ishte mënyra më e mirë për të dëmtuar qeverinë dhe për të ardhur në pushtet. Por në zgjedhjet lokale PS humbi”, ka nënvizuar Berisha.

Përsa i përket figurës së tij, gjatë intervistës ai ka lënë të kuptohet se për momentin nuk ka ndërmend të tërhiqet nga politika.

“Do të vazhdoj në politikë deri kur shqiptarët nuk do të më votojnë më. Deri atë herë unë do ta respektoj vullnetin e tyre. Unë eci drejt integrimit evropian”, ka thënë Berisha.

Më tej kryeministri ka folur për situatën aktuale politike, që sipas tij në njëfarë mënyre është normalizuar me kthimin e opozitës në Parlament.

“Opozita u kthye në Parlament, unë u propozova ta hartonin ata ligjin elektoral dhe tani ata kanë pranuar. Situata është normale dhe ka një dialog konstant”, ka thënë ai.

Një tjetër përparësi për kryeministrin shqiptar është sektori i turizmit, i cili sipas tij në vitet e fundit ka regjistruar një fluks të paparë më parë.

“Për turistët ofrojmë një klimë të mirë, mikpritje dhe ushqim shqiptar shumë të mirë. Ftesa ime është që të vini në Shqipëri”, është shprehur më tej Berisha.

Berisha ndodhet në Francë në kuadër të samitit të Partive Popullore Evropiane, ku ashtu si dhe në këtë intervistë bëri përgjegjëse opozitën për dështimin e marrjes së statusit të kandidatit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA