Zbatimi i ligjit, reforma administrative, drejtësia, liria e shprehjes dhe të drejtat e njeriut konsiderohen sfidat kyçe në zgjerimin me Ballkanin.

Përsa i takon kriterit ekonomik, Këshilli i BE-së vëren nevojën e reformave strukturore dhe të konsolidimit fiskal, duke konsideruar se rajoni vuan pasojat e krizës botërore ekonomike e financiare.

BE thotë se ky proces bazohet “mbi meritat individuale të secilit shtet në rrugën drejt antarësimit”. Kroacia, pak ditë para firmosjes së traktatit, përbën shembullin për t’u ndjekur në rajon.

“Një pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte referimi i Kroacisë si shembull i suksesshëm në përmbylljen e kapitullit të fundit, atij të drejtësisë, duke dëshmuar, jo vetëm pjesën e kredibilitetit të procesit të zgjerimit, por edhe fuqinë transformuese të zgjerimit, siç dhe tregoi mësimet për t’u marrë”, deklaroi Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle.

Për Malin e zi, Presidenca Polake rrëfeu se humori i këshillit ishte shumë pozitiv. Mikolaj Dowgielewicz, Ministri polak i shtetit për çështjet europiane deklaroi: “Në rastin e Malit të Zi, këshilli nënvizoi se vendi ka arritur një nivel të lartë përputhjeje me kriteret për anëtarësim, veçanërisht në kriterin politik dhe ka përparuar në ngritjen e një ekonomie tregu. Sigurisht që do t’i takojë samitit europian të marrë vendimin për përcaktimin e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim më Malin e Zi.”

Mbi Serbinë, statusi kushtëzohet ende nga mardhëniet e fqinjësisë me Kosovën. “Do t’i takojë sigurisht samitit europian të vendosë nëse i duhet dhënë apo jo statusi kandidat Serbisë. Siç mund ta imagjinoni, debati u fokusua në pajtimin rajonal dhe dialogun rajonal mes Serbisë dhe Kosovës”, shtoi Dowgielewicz.

Për Kosovën, këshilli mirëpriti rekomandimin e Komisionit për nisjen nga fundi i vitit i dialogut për vizat, por duke shtuar, “nëse të gjitha kushtet përmbushen realisht”. Ende më e pafat duket ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, megjithë gjykimin pozitiv të Hagës në favor të Shkupit, vendimi i Këshillit shtyu për samitin e ardhshëm shqyrtimin për këtë vend. As takimi i Kryeministrit Gruevski me Presidentin e BE-së Van Rompuy nuk ndryshoi gjë.

“E inkurajova kryeministrin Gruevski të vazhdojë kërkimin e një zgjidhjeje të pranueshme me Greqinë për çështjen e emrit, si dhe shpreha shpresën se gjykimi i Gjykatës Ndërkombëtarë të Drejtësisë do t’i japë edhë më shumë shtysë këtyre përpjekjeve”, u shpreh presidenti i BE-së.

Një ditë më parë, i pari që fiku shpresat ishte Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i cili në një deklaratë për shtyp sqaroi se ky gjykim nuk ndryshon asgjë nga konkluzionet e Bukureshtit, të cilat kushtëzojnë anëtarësimin e vendit me zgjidhjen e çështjes së emrit.

Arta Tozaj, Bruksel

Top Channel