Ambasadori Wolfart, vullneti për reformë dhe vullneti i pushtetit

06/12/2011 00:00

Andrea Stefani – Javët e fundit kemi parë disa nga figurat më të larta përfaqësuese të
komunitetit ndërkombëtar në Tiranë të shprehen optimistë për ekzistencën
e një vullneti pozitiv, si nga ana e opozitës, ashtu edhe nga ajo e
pushtetit, lidhur me reformën zgjedhore.

Do të donim t’i bashkoheshim këtij optimizmi, por as a djeshmja, as edhe e sotmja konfliktuale e politikës shqiptare nuk shërbejnë për të na e zbehur skepticizmin. Dhe dyshojmë se, për fatkeqësinë e shqiptarëve, gjërat do të futen shumë shpejt në hullinë e konfliktualitetit shterp, pikërisht se nuk ekziston një vullnet real për reforma, mbi të gjitha nga Kryeministri Berisha.

Si edhe në të kaluarën, ai po luan kinse pjesën e politikanit reformator. Por ndërkaq rri në përgjim të momentit të përshtatshëm për ta sabotuar reformën zgjedhore, duke ia hedhur fajin opozitës. Është iluzion të besosh se Berisha, ky politikan që erdhi në pushtet duke pasur më pak vota se opozita, që e ripërtëriu këtë pushtet me vjedhje, duke pasur edhe më pak vota se opozita, të jetë i interesuar për zgjedhje të lira e të ndershme, objektivi final i reformës zgjedhore.

* * *

Por ambasadori i OSBE në Tiranë nuk është fare skeptik dhe rrezaton një optimizëm se gjërat do të shkojnë vaj. Po për kë? Sepse edhe në të kaluarën jo pak drejtues të OSBE janë shprehur optimistë për zhvillimin e zgjedhjeve dhe më pas ka rezultuar se ato kanë shkuar vaj vetëm për atë që ka mundur të vjedhë më shumë vota. Dhe Berisha mban rekordin mes atyre që kanë përfituar pushtet nga vjedhja e votës në këto 20 vjet. Në fakt Wolfart nuk ofron ndonjë argument kushedi se çfarë për optimizmin e tij. Duket se sebep është bërë akti i thjeshtë i krijimit të komisionit të përbashkët PS-PD për reformën zgjedhore. Një akt që për këdo që është familjar me politikën shqiptare nuk do të thotë asgjë. Nuk është e para herë që klasa politike krijon të tilla komisione që në më të shumtën e rasteve kanë dështuar të ofrojnë ndonjë produkt të saktë dhe të qëndrueshëm, por që i kanë shërbyer asaj vetë për të trukuar përkohësisht natyrën destruktive që e karakterizon. Por Wolfart nuk mendon kështu. Atij i duket një sukses që kampet e politikës kanë filluar të flasin, të dialogojnë. Ndaj dhe deklaron se “e rëndësishme është që ata komunikojnë me njëri-tjetrin, ndërtojnë besim te njëri-tjetri. Unë pashë që ka vullnet të mirë dhe aty ku ka vullnet të mirë, ka një rrugë për të ecur përpara me konsensus, konsensus i cili duhet zhvilluar dhe forcuar më tej, po ashtu edhe idetë duhen draftuar por kam besim se gjithçka do të funksionojë”.

* * *

Palët po flasin me njëra-tjetrën?! Uau! Çfarë arritje e rëndësishme për një shoqëri demokratike pas 20 vjet tranzicion drejt Europës! Megjithatë është një fakt që palët kanë nisur të flasin. Deri këtu jemi me zotin Wolfart. Por më tej nuk mundemi. Sepse nuk shohim kurrkund që palët po “ndërtojnë besim te njëri-tjetri”. Gjithçka flet se mungesa e besimit mes palëve është në maksimum. Aq më pak nuk shohim ndonjë “vullnet të mirë” pra dhe aq më pak mundësinë e një konsensusi. Duket se zoti Wolfart është entuziazmuar shumë nga shtrëngimi i duarve në komisionin e reformës zgjedhore. Por kjo është shumë pak gjë, ose më saktë aspak gjë. Dhe e kaluara e largët dhe e afërt e këtyre 20 vjetëve, na mëson se të entuziazmohesh nga shtrëngimi i duarve të politikanëve shqiptarë, është si të entuziazmohesh nga qetësia para stuhisë. Sepse pas çdo shtrëngimi duarsh ka ardhur një përleshje apo një krizë. Prandaj duke e braktisur me keqardhje zotin Wolfart në optimizmin e tij naiv, na duket më realist qëndrimi i ambasadores britanike që, në të njëjtën kohë me Wolfart, deklaroi se deputetët e të dyja palëve në komisione, por edhe kryetarët e partive të tyre, kanë një mundësi për të provuar se skeptikët janë gabim dhe se ata janë të angazhuar për reforma demokratike. Madje, pa u mashtruar nga sipërfaqja e gjërave, Fiona Mcllwham nënvizoi se fotot e rastit apo shtrëngimet e duarve nuk do të mjaftojnë. Është ekzaktësisht kështu. Ajo që do të mjaftojë është një reformë zgjedhore që i bën më të mundshme zgjedhjet e lira e të ndershme, pra edhe më pak të mundshme që një pushtet të mund të vjedhë votat dhe të manipulojë rezultatin e zgjedhjeve, qoftë me anë të gjykatave apo kolegjeve të kapura zgjedhore. Sikundër edhe ka ndodhur në Shqipëri. Ndaj jemi skeptikë, sepse kemi frikë që, i mësuar me vjedhje votash dhe manipulim rezultatesh me vendime kundërthënëse gjykatësish të vënë në shërbim të tij, Berisha nuk ka një vullnet real për reforma zgjedhore. Është vullneti i tij për pushtet të përjetshëm që kundërshton lindjen edhe në kampin e PD si dhe të aleatëve të saj, të një vullneti të vërtetë për një reformë zgjedhore. Vullnet që për momentin, ekziston vetëm në kampin e opozitës, nëse jo për ndonjë dedikim ndaj lojës së ndershme politike, për faktin e thjeshtë se është pikërisht opozita ajo që ndëshkohet me disfata nga manipulimet zgjedhore të pushtetit, edhe pse ka qartazi shumicën e elektoratit shqiptar me vete. Dhe është vështirë të kuptosh sesi mund të ngushëllohen këto interesa kontradiktore politike në një konsensus me produkt reformën zgjedhore. Kemi frikë se berishistët, si jo pak herë më parë, do përpiqen ta bëjnë procesin të ngecë në ndonjë yçkël juridike, duke gjetur edhe alibinë për mos realizimin e reformës që në fakt nuk e duan. Dhe që kjo të mos ndodhë, kërkohet që të gjitha propozimet në komisionin e reformës, pavarësisht se nga cila palë e politikës vijnë, të ballafaqohen me rekomandimet e OSBE-ODIHR. Nëse ato i shërbejnë materializmit të këtyre rekomandimeve, pavarësisht se nga cila palë vijnë, të ushtrohet presion, edhe nga ndërkombëtarët, që të mpiksen në nenet e Kodit Zgjedhor pavarësisht kundërshtimeve nga pala tjetër. Pikërisht në ato momente do të duket, se cila nga palët ka vullnet real për reformë zgjedhore demokratike dhe cila jo. Dhe po në ato momente do të jetë dhe ora e provës për ambasadorin Wolfart.

Gazeta “Shqip”

Top Channel