Partia Socialiste shfrytëzoi seancën e votimit të buxhetit, për të bërë
publike, për herë të parë, skemën e detajuar të taksimit progresiv mbi
pagat, skemë të cilën ajo ka premtuar, se do ta rikthejë kur të vijë në
pushtet.

“Ka një prag përjashtues deri në 20 mijë lekë të pagës; ka një prag 7 përqind të shumës mbi 20 mijë deri 40 mijë lekë të pagës;një tatim që shkon 10 përqind të shumës mbi 40 mijë lekë të pagës; një tatim që shkon 15 përqind të shumës mbi 70 mijë lekë të pagës; një tatim që shkon 18 përqind mbi 100 mijë lekë të pagës dhe një tatim që shkon 20 përqind, për shumën mbi 150 mijë lekë të pagës”, thotë deputetja socialiste Mimi Kodheli.

Opozita thotë se përmes kësaj skemë, tatimi do të lehtësoje familjen mesatare në Shqipëri me rreth 3 mije lekë në muaj.

“Nëqoftëse sot për një pagë për 400 mijë lekë të vjetra, paguhen rreth 36 mijë lekë të vjetra taksë, ajo që ne duam që të sjellim është që kjo pagë të tatohet, jo më shumë se 13-14 mijë lekë të vjetra. Do të thotë me një llogari të shkurtër, që ne i kthejmë familjeve të zakonshme shqiptare ne buxhetin e tyre 300 dollarë në vit”, tha deputeti socialist Arben Ahmetaj.

Por ministri i Financave thotë se taksimi progresiv është një politikë e dështuar dhe rikthimi i tij do të rriste evazionin fiskal, pasi ata që marrin paga më të larta do të fshehin të ardhurat.

Maxhoranca nuk pranoi asnjë nga propozimet e Partisë Socialiste për buxhetin, përfshirë edhe ato për heqjen dhe uljen e TVSH-së në disa mallra bazë të konsumit të gjerë.

“Po kërkoni të hapni shtigjet e evazionit sepse pushteti juaj duhet të jetë pushteti që ju la kur ikët, pushteti i korrupsionit, i kontrabandës, pushteti i një republike bananesh”, tha Bode.

Në fund Kuvendi e voti buxhetin në tërësi me 71 votat e maxhorancës, ndërsa 50 deputetë të opozitës votuan kundër draftit.

Buxheti i shtetit për vitin 2012 u votua në parim javën e kaluar. Ai parashikon 396 miliardë lekë shpenzime të qeverisë dhe 355 miliardë lekë të ardhura. Diferenca do të financohet përmes borxhit të ri që do merret gjatë vitit të ardhshëm në masën 41 miliardë lekë ose 3 për qind e prodhimit kombëtar.  

Buxheti i vitit të ardhshëm parashikon një total shpenzimesh me vlerë rreth 397 miliardë lekë, ose vetëm 1.5% më tepër se buxheti i këtij viti (para ndryshimeve). Duke e krahasuar me projektin e korrikut, ku qeveria shkurtoi 18 miliardë lekë, drafti i 2012-s nuk shkon më tepër në rritje me 5%. Sa u takon investimeve, nuk parashikohet rritje e tyre, duke i mbajtur të njëjta si me 2011-n, rreth 70 miliardë lekë, kurse të ardhurat parashikohen në 352 miliardë lekë. Një javë më parë, seanca e Kuvendit u zhvillua me debate ndërmjet mazhorancës dhe opozitës që kishin të bënin me draftin në parim të projekt-buxhetit të shtetit. Për më tepër se 12 orë socialistët dhe demokratët debatuan ashpër ndaj projektbuxhetit ku opozita paraqiti 12 kushte për votimin pro të draftit të paraqitur nga ana e qeverisë. Por qeveria nuk e pranoi një propozim të tillë të paraqitur nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. Ndërkohë që Komisioni parlamentar i Ekonomisë pritet të paraqesë relacionin final, ku parashikohet edhe lëvizja e fondeve sipas institucioneve përkatëse.

Kodi Rrugor, Kuvendi e miraton me konsensus

Në vijim të konsensusit të arritur pak jave më pare mes mazhorancës dhe opozitës, Kuvendi miratoi me 115 vota ndryshimet në Kodin Rrugor.

Ne sallen e parlamentit por edhe ne Komisionin Parlamentar te Ligjeve opozita shprehu disa shqetesime ne nene te vecanta te Kodit, per te cilat u pergjigj ministri i Transporteve, Sokol Olldashi.

Miratimi i Kodit Rrugor vjen pas miratimit te Kodit Ajror dhe atij Detar, ligje keto qe kerkonin 3/5 e votave dhe per te cilat politika prej me shume se nje vit nuk arrinte konsensusin. Ne nisje te seances, deputetet mbajten nje minute heshtje ne shenje zie per ndarjen nga jeta te shkrimtarit dhe ish-deputetit Sabri Godo.

Top Channel