KKT: Dënim me vdekje për Saif? Vendos gjykata

02/12/2011 18:05

Dënimi me vdekje në Libi është i parashikuar me ligj, por Këshilli Kombëtar i Tranzicionit beson në rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit.

“Dënimi me vdekje për Saif al Islam? I takon gjykatës për ta caktuar, ne do të reagojmë vetëm nëse procesi do të shkelë të drejtat e njeriut”, ka deklaruar ministri i Rinisë dhe Sporteve, Fathi Terbil.

Deklarata është bërë gjatë një konference për shtyp në Senatin e Romës, në Itali, në kuadër të cmimit ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, “Ludovic Trarieux”.

Gjatë evenimentit, që zhvillohet nën patronazhin e Këshillit Kombëtar të Ekspertizës, zyrtari libian ka prekur edhe cështjen e vdekjes së ish-liderit të Libisë, Muammar Gaddafi.

“Informacionet që kemi aktualisht tregojnë se Muammar Gaddafi u vra në një shkëmbim zjarri, por nuk dimë se si kjo ka ndodhur”, ka deklaruar Terbil.

Ministri i Rinisë dhe Sporteve është gjithashtu i njohur në vendin e tij si avokat i familjeve të viktimave të masakrës së Abu Salim, ku Gaddafi urdhëroi vrasjen e 1.300 personave në një ditë të vetme.

“Për të kuptuar atë që ka ndodhur në të vërtetë kemi ngritur një komision hetimor që duhet të hedhë dritë plotësisht mbi ngjarjen”, ka deklaruar Terbil për agjencinë e lajmeve ANSA.

Djali i dytë i kolonelit u kap nga trupat e KKT-së më 19 nëntor, teksa fshihej në afërsi të qytetit të Obarit, në jug të Libisë, bashkë me disa truproja që e shoqëronin.

Pas lajmit për kapjen e tij erdhi edhe dorëzimi i kreut të shërbimeve sekrete, 62-vjecarit Abdullah Al Sanusi, i cili kishte filluar të jetonte në arrati pas rrëzimit të regjimit.

Top Channel