Clinton-Suu Kyi, “moment historik”

02/12/2011 17:50

Në përfundim të takimit me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, vizitën e të cilës e cilësoi si një “moment historik”, Aung San Suu Kyi ka shprehur besimin se Brimania është në rrugën e demokracisë.

Duke folur përpara gazetarëve, liderja e opozitës dhe fituese e cmimit Nobël për Paqen ka deklaruar se, “nëse punojmë të gjithë bashkë, nuk do të ketë kthim pas në rrugën e demokracisë”.

Dy zonjat janë takuar në rezidencën e Suu Kyi në University Avenue, në Rangun, pasi kishin darkuar së bashkë mbrëmjen e djeshme.

Clinton, që ditën e enjte zhvilloi një takim kokë më kokë me presidentin Thein Sein, do të lërë vendin aziatik brenda ditës së sotme.

Takimi i mbrëmshëm mes Clinton dhe Suu Kyi është cilësuar nga disa media ndërkombëtare si një takim mes yjesh, për shkak të zbukurimeve që kishin veshur dy gratë me më influencë në botë.

Sekretarja e Shtetit i kishte kapur flokët bisht dhe kishte veshur një kostum oriental të hapur, vathët e zakonshme të saj, si dhe disa perla mes flokëve.

Ndërsa kryetarja e Lidhjes Kombëtare për Demokraci mbante për zbukurim disa lule ngjyrë kremi. Mbi takimin nuk është publikuar asnjë detaj dhe vetëm fotoja e bërë para tij ka bërë xhiron e botës.

Vizita e Clinton në Birmani është historike dhe e para e një sekretari Shteti prej 50 vjetësh. Ishte pikërisht disidentja birmaneze që i sugjeroi presidentit Obama të pranonte ftesën e autoriteteve të Najpidaut, kryeqyteti i ri i zgjedhur nga regjimi ushtarak.

Në dy letra të dërguara sot, njërën regjimit dhe tjetrën Suu Kyi, presidenti Obama shprehet se, Shtetet e Bashkuara janë gati të nisin “një epokë të re” në marrëdhëniet me lidershipin e Birmanisë, por gjithmonë përkrah Suu Kyi.

Top Channel