Strauss-Kahn: Mbrëmja që më shkatërroi jetën

01/12/2011 15:55

Ish-shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn, e cilësoi takimin seksual në Nju Jork si “konsensual”, por “veprim prej idioti”, në autobiografinë e tij të sapopublikuar.

Pjesë të librit u nxorrën në shtyp për herë të parë të enjten dhe në të, përshkruhet me detaje ngjarja që e përfshiu Strauss-Kahn në një proces për tentativë përdhunimi.

Ndonëse një Gjykatë në Nju Jork e shpalli të pafajshëm, figura publike e tij u diskretitua deri në atë pikë, sa që hoqi dorë nga kandidimi i mundshëm për rolin e presidentit të Francës, ku në sondazhe ishte dukshëm përpara presidentit aktual, Nicolas Sarkozy.

Libri i titullar “Çështja Strauss-Kahn, hetimi i dytë”, e cilëson si një “fantazi” të pastër akuzën e shërbyeses 32-vjeçare të “Sofitel Hotel”, në Nju Jork. “Patëm një marrëdhënie seksuale konsensuale, diçka që nuk duhet ta kisha bërë kurrë, për shkak të detyrimeve të mia familjare dhe figurës sime publike. Do të jetë diçka për të cilën do të mbaj pendesë deri në fund të jetës”, pohonte 62-vjeçari Strauss-Kahn.

Sipas versionit që avokatët e shërbyese Diallo paraqitën në proces, ajo hyri në dhomë për të kryer disa shërbime, kur politikani doli nga dushi i zhveshur dhe tentoi që të kryente marrëdhënie nëpërmjet dhunës. Gjykata hodhi poshtë akuzën, pasi nuk kishte fakte të mjaftueshme për të provuar ngjarjen.

Më parë gjatë muajit, Strauss-Kahn ngriti një padi për shpifje ndaj mediave, ndërsa u shpreh se ka dyshime se është mbajtur nën përgjim nga njerëzit që u “interesonte” diskretitimi i tij.

Top Channel