Kinë, bie niveli i industrisë përpunuese

01/12/2011 00:00

Industria përpunuese në Kinë ka pësuar rënien më të lartë në 32 muajt e
fundit, e dëmtuar nga ngadalësimi i ekonomisë globale. Indeksi zyrtar i
shkëmbimit tregtar ra në nivelin 49 në nëntor, më i ulëti që prej marsit
të vitit 2009.

Të dhënat nga mbikëqyrja e industrisë së manifakturës vijnë në një moment shqetësimi se rënia e ekonomisë globale mund të ulë kërkesën për produkte kineze dhe të dëmtojë ekonominë e vendit.

Indeksi i shkëmbimit tregtar është një tregues kyc i industrisë në fjalë dhe të dhënat e tjera të tij tregojnë gjithashtu kontraktime të treguesve të tjerë ekonomikë.

Suksesi i industrisë përpunuese ka qenë jetik për rritjen e lartë ekonomike të Kinës në vitet e fundit.

Megjithatë, problemet ekonomike në dy tregjet kryesore ku ajo eksporton produktet e saj, SHBA dhe Evropa, kanë ngritur shqetësimin nëse sektori në fjalë mund të ruajë ecurinë pozitive.

“Vlerësimi për nëntorin ra nën nivelin 50, që do të thotë se rritja ekonomike do të vazhdojë të jetë e moderuar në të ardhmen”, ka deklaruar eksperti kinez Zhang Liqun.

Frika është shtuar edhe më tej pasi Federata Kineze e Vlerësimeve deklaroi se indeksi për kërkesa të reja ra gjithashtu në nëntor.

Indeksi i porosive për eksport ra në nivelin 45.6 në nëntor nga 48.6 që ishte muajin e mëparshëm, duke treguar një rënie të ndjeshme të kërkesës.

Top Channel