Itali, në pranga pronari i fabrikës

01/12/2011 01:23

Karabinierët arrestuan Giovani Merlino, pronari e fabrikës “Eureco” në Paderno Dugnano, pranë Milanos.

Ishte muaji nëntor i vitit të kaluar kur në këtë fabrikë për trajtimin e solventëve ndodhi një shpërthim që solli vdekjen e katër punëtorëve, dy prej të cilëve ishin  shqiptarë, Leonard Shehu, 37 vjeç dhe Harun Zeqiri, 44 vjeç. Edhe të tre të plagosurit më të rëndë ishin shqiptarë.

Pronari i fabrikës akuzohet për vrasje të shumëfishtë pa dashje, për trafik të paligjshëm mbetjesh dhe për shkelje të normave të sigurisë në punë.

Sipas hetimeve ai ka qenë krejtësisht i ndërgjegjshëm për mungesat e mëdha të sigurisë në impiante ku me sa duket mbetjet e rrezikshme trajtoheshin njëlloj si ato të zakonshme, duke sjellë fitime por edhe dëme të mëdha.

Pronari 60 vjeçar i firmës “Eureco” është arrestuar sepse gjykatësi mendon se ai mund të kryejë shkelje të ngjashme penale në fabrikat e tjera të tij, ku kryen aktivitete trajtimi mbeturinash.

Top Channel