Hungaria nxjerr jashtë ligjit të pastrehët

01/12/2011 16:05

Një ligj i ri i shumëkritikuar nga organizatat e të drejtave të njeriut hyri në fuqi në Hungari, duke e konsideruar fjetjen në rrugë si një kundravajtje penale të dënueshme me një gjobë prej 500 eurosh ose me burgim.

Ligji godet kryesisht të pastrehët. Partia konservatore në pushtet ishte ajo që propozoi ligjin, duke argumentuar se Budapesti nuk mund të përballonte më numrin e lartë të endacakëve në rrugët e tij.

Sipas autoriteteve, janë krijuar qëndra banimi për të pastrehët, por kritikët kundërshtojnë me forcë ligjin, duke argumentuar se qëndrat apo mencat e supës janë të mbipopulluara dhe ofrojnë kushte aspak më të mira se ato të rrugës.

Përllogaritet se 10 mijë të pastrehë jetojnë në kryeqytetin hungarez. Në bazë të ligjit të ri, ata që do të gjenden duke fjetur në rrugë fillimisht do të paralajmërohen. Nëse veprimi do të përsëritet, do të gjobiten ose burgosen.

”Është e vërtetë se Budapesti është i mbushur me të pastrehë dhe lypës, por varfëria e thellë duhet kuruar, jo ndëshkuar. Ky është një ligj që çdo njeri mund ta kuptojë se nuk ka asgjë racionale në të”, u shpreh Miklos Vecsei, president i një fondacion bamirës hungarez.

Një seri demonstrimesh kundër ligjit janë parashikuar të mbahen në ditët e ardhshme në Budapest.

Top Channel