Në Tiranë u organizua një koncert bamirësie me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Luftës kundër HIV/AIDS-it.

I pranishëm në këtë mbrëmje në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit ishte edhe Presidenti Bamir Topi, i cili iu bashkua apelit sensibilizues për të gjithë shoqërinë shqiptare.

“Me zotin Stojku po komunikoja për rastet klinike që janë në Shqipëri. Janë 478. Mos harroni, janë 478 raste, por në 3% të depistimit. Kjo do të thotë që së pari, shoqëria jonë duhet të dijë të ketë edukatën shëndetësore, të kontrollohet, të diagnostikohet për të njohur veten, për të njohur partnerin, sepse përgjegjësia nuk është më thjesht individuale. Mendoni që njerëzit martohen, lindin fëmijë dhe gjithçka duhet të parandalohet në këtë mënyrë.
Sot është një apel për të gjithë strukturat, qofshin këto struktura shëndetësore, qofshin këto struktura edukative: që të gjithë së bashku, sidomos në këtë ditë sensibilizuese për të gjithë, të bëhen bashkë me një zë të përbashkët për ta çuar këtë apel tek e gjithë shoqëria”, tha presidenti Topi.  

Koncerti i bamirësisë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Luftës kundër HIV/AIDS-it u organizua nga “Unioni Shqiptar për Cilësinë e Jetës”.

Top Channel