Kriza botërore jep efekte edhe në Indi

30/11/2011 17:25

Ekonomia indiane u rrit me ritmin më të ngadaltë në më shumë se dy vjet gjatë tremujorit të dytë të vitit 2011, duke rënë nën nivelin minimal të synuar nga autoritetet prej 7%.

Sipas statistikave të publikuara ditën e mërkurë, si rrjedhojë e humbjes së besimit të investitorëve, krizës botërore dhe inflacionit të lartë, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me vetëm 6,9%.

Për herë të fundit, ekonomia ishte ngadalësuar deri në këto nivele në qershor 2009, në pikun e krizës ekonomike të kredive të këqija në perëndim. Në pothuajse nëntë muajt e mëparshëm, ekonomia ishte rritur me 7,7%. Nju Delhi pati deklaruar në fillim të 2011-s, se 8,5% rritje do të ishte një objektiv real për vitin.

Sipas analistëve, një shenjë e mirë për vendin është arritja e një konsensi partiak për të çuar deri në fund disa reforma të rëndësishme ekonomike. “Është zakon që në Indi të bëhen reforma vetëm kur situata të jetë përkeqësuar në maksimumin e saj”, deklaroi Deepak Lalvani, një ekspert financiar.

Reformat do të synojnë që të stimulojnë investimet në vendin me popullësinë e dytë më të madhe në botë. Rritja ekonomike pritet të mbetet në nivelin e 7-7.5% edhe gjatë vitit 2012.

Top Channel