Japoni, debat për nxjerrjen e Perandorit në pension

30/11/2011 16:15

Princi Akishino, i dyti në radhën e trashëgimisë së fronit japonez, hapi të mërkurën një debat mbi mundësinë e vendosjes së një moshe pensioni edhe për monarkun.

Deklarata erdhi pasi babai i tij, Perandori Akihito, u lirua nga një spital pas trajtimit për pneumoni. Sipas Princit, në moshën 77-vjeçare dhe i rënduar nga sëmundja, Perandori mund të mos jetë në gjendje të përmbushë të gjithë detyrat e tij në maksimumin e pritshmërive.

”Në kalimin e një moshe të caktuar, bëhet e vështirë për shumë njerëz që të bëjnë disa aktivitete të rëndësishme”, deklaroi Princi Akishino. “Duhet të ekzistojë një debat nëse një moshë pensioni duhet të vendoset edhe për Perandorët”.

Perandori Akihito luan shumë pak rol real në jetën politike japoneze, por në popull ai është një figurë thellësisht e respektuar. Megjithatë, gjendja e tij shëndetësore prej disa vitesh është e keqe. Në vitin 2003 u operua nga një kancer në prostat dhe vuajti probleme të stresit në 2008-n, përpara se të goditej nga një formë e rëndë pneumonie më parë gjatë vitit.

Në vitin 2009, shërbimi i oborrit rreth Perandorit lajmëroi se ai do të delegojë disa detyra zyrtare, siç janë fjalimet publike apo takimet me përfaqësuesit e huaj. Sipas ligjit japonez mbi trashëgiminë, monarku mbetet kryetari i shtetit në çdo rrethanë deri në vdekjen e tij, ku froni i kalohet një familjari mashkull.

Djali i parë i Akihitos, princi Naruhito, është trashëgimtari i kurorës, i ndjekur nga pretendenti i dytë, Princi Akishino.

Top Channel