Egjipt, rikthehet qetësia relative në Tahrir

30/11/2011 20:15

Sheshi Tahrir, në qendër të Kajros ishte i qetë dhe pa protestues gjatë ditës së mërkurë, ndërsa Egjipti është duke pritur me ankth rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura të hënën dhe të martën.

“Vëllazëria muslimane” dhe “Partia Muslimane Al-Noor Salafi”, kanë pretenduar se janë në avantazh në numërime, por asnjë e dhënë zytare nuk do të jepet deri në mëngjesin e ditës së enjte.

Këto ishin zgjedhjet e para të lira në Egjipt, që prej rrëzimit të presidentit Hosni Mubarak, më parë gjatë shkurtit. Këshilli Suprem i Ushtrisë, i cili kontrollon jetën politike në vend në cilësinë e qeverisë së përkohshme, ka lajmëruar se zgjedhjet presidenciale do të mbahen në maj 2012.

Ndonëse rezultati është duke u pritur me qetësi, mbetet frika e rikthimit të përplasjeve të dhunshme në qendër të Kajros. Disa votues dhe aktivistë të të drejtave të njeriut kanë shprehur shpresën se zgjedhjet me të vërtetë do të sjellin një zhvillim pozitiv në vend, por disa grupime politike bojkotuan procesin, duke e cilësuar si të manipuluar që në fillim.

Një vëzhgues ndërkombëtar lajmëroi më parë gjatë ditës se të paktët tetë raste të blerjes së votës janë dokumentuar.

Top Channel