Britania përzë zyrtarët iranianë

30/11/2011 00:00

Britania e Madhe përjashtoi nga vendi të gjithë diplomatët iranianë, si kundërpërgjigje për sulmimin e ambasadës së saj në Teheran.

Lajmin e bëri të ditur të mërkurën Ministri i Jashtëm, William Hague, vetëm disa orë pasi Foreign Office kishte lajmëruar për tërheqjen e zyrtarëve të saj nga vendi i madh arab.

Kriza midis dy shteteve u provokua nga një ligj i miratuar në Londër, që bllokoi një javë më parë të gjithë transaksionet ekonomike dhe deklaroi ngrirjen e aseteve të Iranit në bankat e vendit. Teherani u përgjigj me uljen e nivelit të marrëdhënieve diplomatike, vendim që u pasua nga agresioni mbi ambasadën.

”I gjithë stafi ynë diplomatik është evakuar nga Teherani dhe si rrjedhojë, misioni ynë është mbyllur”, deklaroi Hague. Megjithatë, ai shtoi se pavarësisht tërheqjes së ambasadave nga vendet respektive, marrëdhëniet diplomatike midis dy shteteve nuk do të ndërpriten tërësisht.

Hague: Sulmi ka patur mbështetjen e regjimit

“Sulmi kundër ambasadës sonë në Teheran nuk do të kishte ndodhur kurrë po të mos kishte patur ndonjë formë mbështetje nga regjimi iranian”.

Kështu deklaroi Ministri i Jashtëm britanik, Uilliam Hague duke thënë se sulmi ka patur mbështetjen e autoriteteve. Hague ka kritikuar edhe ndërhyrjen me vonesë të forcave të sigurisë për të shpërndarë turmën e manifestuesve që dhunuan ambasadën britanike.

Sarkozi dënon sulmin, kërkon sanksione shtesë

Franca dënon ashpër sulmin kundër ambasadës britanike në Teheran dhe vlerëson nevojën e vendosjes së sanksioneve shtesë kundër Iranit.

Kështu deklaroi zëdhënësja e presidentit francez, Nikolas Sarkozi. Zëdhënësja tha se Parisi kërkon shtimin e sanksioneve kundër Republikës Islamike. Sipas saj, ndër sanksionet e reja duhet të përfshihet ngirja e kapitaleve të Bankës Qendrore Iranine dhe bllokadë totale eksportit të naftës iraniane, dy burimet financiare kryesore të regjimit iranian, sipas Francës.

Top Channel