Spanjë, debate për eshtrat e Frankos

29/11/2011 18:55

Një komision i ngritur nga qeveria spanjolle propozoi të martën që eshtrat e diktatorit Franko të zhvendosen nga Lugina e të Rënëve, një varrezë pranë Madridit, që nderon heronjtë e kombit.

Varri i tij është shndërruar që prej vdekjes në vitin 1975 në një pikë pelegrinazhi për ekstremistët e djathtë. Komisioni sugjeroi që mbetjet e njeriu që udhëhoqi Spanjën nga viti 1939-75, të hiqen nga katedralja në hyrje të varrezës dhe t’i dorëzohen familjes së tij për rivarrim në një varrezë të zakonshme.

Në oborrin pas katedrales janë varrosur 34 mijë spanjollë të vrarë gjatë luftës civileve të viteve 1936-39 dhe në një kodër pranë saj, është një kryq 150 metra i gjatë, i cili mund të shikohet nga një distancë prej disa kilometrash.

Sipas komisionit, varri i Frankos duhet të zhvendoset pasi ai nuk vdiq në luftën civile dhe varrosja e tij në atë vend përbën një ofendim për viktimat, shumë prej të cilave ai vetë provokoi me luftën që hapi ndaj monarkisë.

Megjithatë, vendimi që përmban edhe një sfond politik pas tij, është kundërshtuar ashpër nga tre komisione të ndryshme, me argumentin se do të rihapë tensionet krahinore, ndaj të cilave Spanja është veçanërisht e ndjeshme.

Gjenerali Franko, një figurë që edhe sot ndan shumë spanjollë, ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare nga shkaqe natyrore. Ndërsa për disa ai shihet si një hero për mbajtjen e një roli asnjëanës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe zhvillimin relativ ekonomik, për të tjerë është një diktator i egër, i cili shtypi të drejtat thelbësore të njeriut dhe është përgjegjës për vdekjen e më shumë se 500 mijë personave.

Top Channel