Rusia ndez sistemin e ri anti-raketë

29/11/2011 00:00

Rusia ka ndezur një sistem të ri alarmi për mbërritjen e raketave në
rajonin e saj më perëndimor, për t’iu përgjigjur projektit të SHBA për
të ngritur një mburojë anti-raketë në Evropë.

Presidenti Dmitry Medvedev urdhëroi aktivizimin e sistemit gjatë një vizite në njësinë e radarëve në Kaliningrad, një rajon baltik në kufi me vendet e BE-së.

Njësia e radarëve është e pajisur me sistemin e ri Voronezh-DM. Në një deklaratë të cituar nga agjencitë ruse të lajmeve, presidenti Medvedev ka thënë:

“Unë pres që ky hap të shihet nga partnerët tanë si sinjali i parë i gatishmërisë së vendit tonë për t’iu përgjigjur në mënyrën e duhur kërcënimeve që sjell mburoja ndaj forcave tona bërthamore strategjike”.

Më herët gjatë muajit Medvedev paralajmëroi vendosjen e raketave në kufijtë në fjalë nëse do të instalohet mburoja.

Uashingtoni dëshiron që mburoja anti-raketë të jetë gati brenda vitit 2020, duke argumentuar se ajo është e nevojshme për të siguruar mbrojtje nga raketat e vendeve si Irani.

Gjatë presidencës së George W. Bush, Shtetet e Bashkuara fillimisht mendonin të vendosnin pjesën më të madhe të mburojës në Poloni dhe Republikën Ceke, por Rusia kundërshtoi ashpër.

Ndërsa kur Barack Obama mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, ai i tërhoqi ambicjet fillestare, duke zgjedhur destinacione të tjera.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen deklaroi pak kohë më parë se mburoja është projektuar për t’u mbrojtur nga kërcënimet jashtë Evropës dhe jo për të alternuar ekuilibrat.

Top Channel