Liban, raketa drej Izraelit

29/11/2011 04:50

Një seri raketash janë qëlluar nga jugu i Libanit drejt veriut të Izraelit, ka bërë të ditur ushtria izraelite.

Për momentin nuk raportohen viktima nga sulmet, që janë të parat që shkojnë përtej kufirit që prej vitit 2009.

Dy ndërtesa janë dëmtuar nga raketat që ranë në rajonin e Galilesë Perëndimore dhe ushtria izraelite i është përgjigjur zjarrit të Libanit.

Në vitin 2006 një luftë u zhvillua mes Izraelit dhe guerrilasve të lëvizjes Hezbollah, me bazë në Liban.

“Ushtria izraelite e konsideron ngjarjen si një incident serioz dhe mendon se është përgjegjësi e qeverisë dhe ushtrisë libaneze të shmangin këto lloj sulmesh”, ka deklaruar ushtria izraelite.

Katër raketa prekën tokën e Izraelit, thuhet në një raportim të radios publike izraelite, ndërkohë që web site i “Jerusalem Post” njofton se një raketë ra në Biranit, 700 metra larg kufirit libanez.

Burimet mediatike saktësojnë më tej se dy raketa ranë në qytetin e Netuës, duke shkaktuar dëme të vogla, ndërkohë që policia po kërkon për raketën e katërt që dyshohet se ka rënë në një zonë pyjore, po në rajonin e Galilesë Perëndimore.

Lufta 34-ditore mes Izraelit dhe Hezbollahut në vitin 2006 la të vdekur 1200 libanezë dhe 160 izraelitë. Që prej atëherë dy vendet vazhdojnë të mbeten zyrtarisht në gjendje lufte.

Top Channel