Iran, dënohet bastisja në ambasadën britanike

29/11/2011 00:00

Protesta në Iran kundër Ambasadës Britanike erdhi fill pas hartimit të sanksioneve të reja kundër Teheranit, nga Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.

Pasditen e së martës dhjetëra studente hynë në selinë diplomatike duke dëmtuar ndërtesën me gurë dhe bomba artizanale. Ata i vunë flakën flamurit britanik dhe e zëvendesuan me atë Iranian.

Televizioni shtetëror shfaqi momentet kur të rinjtë po thyenin dritaret e ambasadës.  Shumë prej tyre bërtisnin: “Vdekje Anglisë”.

Disa diplomatë britanikë kanë mundur të largohen nga një dalje tjetër, në kohën kur u sulmua ndërtesa. Por gjashtë nëpunës u mbajtën peng, deri në ndërhyrjen e forcave iraniane të rendit, që erdhi pas thuajse dy orësh.

Agjensia e lajmeve MEHR raportoi se disa prej dokumenteve të ambasadës u dogjen. Pamjet treguan një makinë në flakë brenda oborrit të ambasadës, ndërsa qindra protestues të tjerë ishin mbledhur.

Foreing Oficce, u shpreh e fyer nga këto veprime, duke u kërkuar autoriteteve të respektojnë angazhimet ndërkombëtare, në mbrojtje të misioneve diplomatike dhe stafeve të tyre.

Përmes një deklarate u bëri thirrje të gjithë britanikëve që ndodhen në Iran, të qëndrojnë të mbyllur, në pritje të një lajmi të dytë. Ministria e Jashtme iraniane shprehu keqardhje për incidentin.

Shtëpia e Bardhë dënoi sulmin ndaj misionit diplomatik të Britanisë së Madhe dhe i kërkoi Iranit të dënojë përgjegjesit.

BBC i referohet edhe disa raportimeve se një grup tjetër protestuesish mësynë rezidencën e ambasadorit britanik, në veri të vendit dhe kanë marrë dokumente të rëndësishme diplomatike.

Franca dënoi sulmin në termat më të ashpër, duke nënvizuar solidaritetin e plotë me Britaninë. 

Të dielën, Parlamenti iranian votoi me shumicë votash ligjin për të ulur nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Britaninë e Madhe dhe ambasadorit iu caktua një afat prej dy javësh për t’u larguar nga Irani.

Top Channel