Arabia Saudite: Kujdes në Siri

29/11/2011 00:00

Pas Shteteve të Bashkuar dhe vendeve të tjera Perëndimore, edhe Arabia Saudite u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve të saj të lënë sa më parë Sirinë.

“Për shkaqe të sigurisë së jetës u apelojmë të gjithë qytetarëve tanë në Siri të lënë vendin sa më parë e të udhëtojnë për në shtete tjera fqinje ku situata është më e sigurtë. Gjithashtu u apelojmë shtetasve të tjerë të mos udhëtojnë drejt Sirisë, po për të njëjtat arsye”, thuhet në një komunikatë zyrtare të shpërndarë nga Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite.

Situata në Siri vijon të mbetet e tensionuar, megjithë presionet ndërkombëtare kundër presidentit, Bashar al-Assad për të ndalur dhunën ndaj civilëve. Apel u është dërguar edhe forcave opozitare të armatosura, të cilave u është kërkuar të mos ndërmarrin asnjë operacion kundër autoriteteve pa qenë të provokuara më parë.

Uashingtoni disa herë ka paralajmëruar për rrezikun e një lufte civile në Siri, ndërsa Liga Arabe nga ana e saj vendosi disa sanksione kundër Damaskut pas ultimatumeve dërguar Assad-it pas takimit të lidërve të saj në javën e shkuar në Marok.

Ndërkohë, Rusia dhe Kina, dy anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit kanë kërkuar dhënien fund të ultimatumeve dhe presioneve ndaj Sirisë. Moska deklaron se situata në vend mbetet e tensionuar, por se është një cështje që duhet të zgjidhet nga vetë sirianët, pa ndërhyrjen ndërkombëtare.

“Rebelët” libianë ofrojnë eksperiencën e tyre

Autoriteti i përkohëshëm qeverisës në Libi ka ofruar ndihmë financiare dhe ushtarake për dezertorët sirianë, që prej disa muaj luftojnë kundër regjimit të Assad.

Mbështetja u bë e ditur nga Abdulhakim Belhaj, kreu i Këshillit Ushtarak të Tripolit dhe një ndër udhëheqësit kryesorë të lëvizjes popullore të armatosur kundër Muamar Gadafit, i cili pati një takim me përfaqësues të opozitës siriane në Stamboll.

Belhaj ofroi ndihmë financiare, armatimesh dhe ushtarësh për të stërvitur trupat opozitare siriane që luftojnë prej disa muajsh kundër Assad.

Top Channel