Pranga “futbollistit” të shumëkërkuar

28/11/2011 21:30

Mbi kokën e tij rëndonte një shpërblim prej pesë milionë dollarësh. Maximiliano Bonilla Orozco, 39 vjec, ishte në majat e listës së personave më të kërkuar nga autoritetet amerikane dhe ato kolumbiane.

Bosi i narkotrafikut, i njohur ndryshe si “Valenciani” ose “Futbollisti”, është arrestuar në një operacion të policisë në Venezuelë, në qytetin e Marakaibos.

Orozco është në krye të një organizate të gjerë që kontrollon kanalet e trafikut të drogës drejt SHBA, përmes Guatemalës, Hondurasit dhe Meksikës.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, bashkë me “futbollistin” janë arrestuar edhe tre persona të tjerë të dyshuar si anëtarë të organizatës.

Në kontinentin e Amerikës Latine, kartelet kolumbiane luajnë rolin e furnizuesit të lëndëve narkotike, ndërsa ato meksikane, venezueliane dhe të vendeve të tjera menaxhojnë kalimin tranzit të kokainës.

Pikërisht në Venezuelë, presidenti Hugo Chavez zbriti në terren ushtrinë për të luftuar valën e krimeve, shumica e të cilave lidhet me trafikun e drogës.

Të njëjtën gjë bëri para saj edhe qeveria e Hondurasit, vend që sipas Kombeve të Bashkuara ka kuotën më të lartë të krimeve në botë.

Top Channel