Pakistan, përcillen 24 ushtarët e vrarë nga NATO

27/11/2011 12:20

24 trupat pakistaneze të vrarë gabimisht nga një sulm ajror i NATO-s u përcollën të dielën për në banesën e tyre të fundit, gjatë një ceremonie solemne, në të cilën u lëshuan slogane të reja anti-perëndimore.

Shefi i përgjithshëm i ushtrisë, Ashfaq Pervez Kayani, udhëhoqi ceremoninë funerale, ndërsa dënoi edhe një herë me tonet më të ashpra goditjen e klasifikuar nga NATO si një “incident tragjik dhe i padëshiruar”.

Shefi i aleancës së Atlantikut të Veriut, Anders Fogh Rasmussen, i shkroi kryeministrit Yousuf Raza Gilani, duke kërkuar falje për ngjarjen dhe duke theksuar se: “vdekja e ushtarëve pakistanezë është e papranueshme dhe po aq e vajtueshme sa ajo e çdo ushtari të NATO-s apo civili në Afganistan”.

Në një komunikatë të bashkangjitur, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, përveç shprehjes së ngushëllimeve, fliste edhe për “rëndësinë e marrëdhënieve amerikano-pakistaneze, të cilat i shërbejnë interesave më të mirë të të dy popujve”.

Islamabadi zyrtar reagoi me ashpërsi pas sulmit të ndodhur në krahinën tribale të Mohmandit, pranë kufirit me Afganistanin. Në një deklaratë, sulmi konsiderohej si “tërësisht i pajustifikueshëm ”, ndërsa premtoheshin masa të ashpra, pas këtij cënimi të sovranitetit të shtetit. Paraprakisht, janë bllokuar të gjitha furnizimet që NATO siguronte nëpërmjet rrugëve që përshkronin vendin dhe është kërkuar largimi brenda 15 ditëve i personelit të një baze ushtarake.

Top Channel