Marrëveshje e re për euron

27/11/2011 00:00

Gjermania dhe Franca duan të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje të re për stabilitetin e euros, mundësisht deri në fillim të Gushtit 2012.

Për këtë arsye, kancelarja Angela Merkel dhe shefi i Elizesë, Nikolas Sarkozi, janë duke planifikuar një pakt të ri stabiliteti për frenimin e krizës së borxhit, shkruan “Ëelt am Sontag”, pa sqaruar se nga e ka marrë informacionin.

Gazeta e së dielës raporton se po të jetë e nevojshme, Franca dhe Gjermania do t’i bashkohen shteteve që pretendojnë disiplinë më të rreptë buxhetore.

Plani i krizës mund të bëhet publik javën që vjen. Raporti që citon burime qeveritare gjermane, sqaron se do të duhet një kohë shumë e gjatë për të ndryshuar traktatet ekzistuese të BE-së, dhe vendet e Eurozonës duhet t’i shmangin vonesa të tilla duke pranuar një pakt të ri stabiliteti, dicka të ngjashme me marrëveshjen e Shengenit, mbi heqjen e kontrolleve kufitare.

Vendet që do të bëhen pjesë e paktit do t’i nënshtrohen rregullave të rrepta të deficitit dhe kontrollit të buxheteve kombëtare. Në thelb fjala është për të drejta ndërhyrjeje në planfikimet e këtyre të fundit, që do të thotë se cdo vend i zonës së euros duhet t’ia prezantojë projekt-buxhetet fillimisht Komisionit të BE-së, Parlamentit Evropian apo një instance të re, të krijuar enkas, përpara se të miratohen nga parlamentet kombëtare.

Një nisme e tillë duhet t’i japë fund krijimit të borxheve pa kufi dhe të pengojë kriza të këtyre përmasave në të ardhmen. Planet, që mendohet se do të paraqiten në samitin e ardhshëm të BE-së në 8 dhe 9 dhjetor në Bruksel, nuk janë konfirmuar ne detaje.

Një zëdhënëse e qeverisë gjermane tha vetëm se Berlini dhe Parisi deshirojnë të paraqesin “përfytyrime të përbashkëta” në diskutimet përpara takimit të nivelit të lartë.

Vetë Merkel dhe Sarkozy pohuan në takimin e tyre të fundit në Strasburg se do të dalin shumë shpejt me propozime konkrete për një ndryshim të marrëveshjeve të BE-së.

     

Top Channel