Europa, një kërcënim me ndëshkim kolektiv për shqiptarët

25/11/2011 00:00

Andrea Stefani – “Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit”. Kështu
thuhet në nenin 38 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Është shkruar me kast ky nen, si një kundërvënie ndaj praktikës së izolimit total që i imponoi shqiptarëve, për 45 vjet, një regjim diktatorial komunist. Që izolimi të mos përsëritej. Sepse breza të tërë shqiptarësh u shuan me ëndrrën e parealizuar të lëvizjes së lirë. Një liri që duhej të sakrifikohej “për të mirën e socializmit dhe të popullit”. Dhe ja tani, 20 vjet pas rënies së komunizmit, liria e lëvizjes është përsëri e kërcënuar. Por këtë herë nuk është vetë diktatura që rrezikon shqiptarët me izolim. Këtë herë është vetë Europa e lirisë që kërcënon t’ju heqë shqiptarëve atë liri lëvizjeje që po vetë ajo ua kish dhuruar më pak se një vit më parë.

* * *

Politika që projekton të ndjekë Bashkimi Europian ndaj lirisë së lëvizjes nuk ndryshon shumë nga ajo e ndjekur prej diktaturës së proletariatit të Enver Hoxhës. Le t’i krahasojmë: Diktatura komuniste u shqetësua shumë kur vuri re se mes shqiptarëve fshihej një tendencë e fuqishme për t’u larguar drejt botës së lirë, drejt Europës. Ndaj, për ta penguar këtë proces arratisjeje nga “parajsa” e diktaturës, regjimi komunist e rrethoi shtetin me tela gjembaçë duke e shndërruar në burg për të gjithë shqiptarët. Logjika e kësaj politike ishte: Meqenëse disa duan të arratisen nga Shqipëria për në Europë, atëherë të gjithë shqiptarëve ju hiqet e drejta dhe liria për të udhëtuar në Europë. Ndëshkimi qe haptazi kolektiv. Cili është thelbi i politikave që paralajmëron Bashkimi Europian lidhur me lirinë e lëvizjes, të paralajmëruar së fundi edhe nga ambasadori i KE në Tiranë, Etore Sekui? As më shumë dhe as më pak, por ndëshkim kolektiv i shqiptarëve, privim i lëvizjes së lirë të tyre vetëm dhe vetëm se disa shqiptarë (nuk thuhet ende se sa) kanë kërkuar azil në vende të ndryshme të zonës ‘Shengen’. Në thelb është po dukuria e sakrifikimit të lirisë së lëvizjes së një popullsie të tërë vetëm për faktin se disa pjesëtare të saj nuk kanë zbatuar apo kanë dhunuar ligjet dhe rregullat e lëvizjes së lirë. Pra, është pothuaj e njëjta reprezalje mbi të drejtën e njeriut për të lëvizur i lirë, kryer pak dekada më parë mbi shqiptarët nga diktatura më e egër komuniste.

* * *

Rivendosja e vizave që projekton të ndërmarrë politika europiane, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, është jo vetëm e gabuar, por edhe mjaft e dëmshme për proceset integruese me BE. Mbi të gjitha, ajo do të shërbejë negativisht duke ngritur sentimente antieuropiane në masat e njerëzve në këtë rajon, një objektiv jo vetëm i lakmuar, por edhe i tentuar nga forca qytetërimesh jo euroatlantike. Është një politikë që e gjen ilaçin mbi problematikën e lëvizjes së lirë, jo te zbatimi i ligjit dhe i së drejtës europiane, por tek sakrifikimi i lirisë së lëvizjes një akt ky, aspak në frymë europiane. Në fakt, kërcënimi për kalim në ndëshkimin kolektiv të shqiptarëve dhe kujtdo tjetër, shpreh dobësinë e strukturave shtetërore dhe ndërshtetërore të BE-së për të zbatuar ligjin dhe të drejtën në çdo rast të veçantë. Sepse tashmë dihet që ekzistojnë rregulla të vendosura për lirinë e lëvizjes dhe penalitete për çdo individ që shkel këto rregulla. Për shembull, dihet se një personi mund t’i hiqet e drejta për të shkelur në hapësirën ‘Shengen’ deri edhe për 5 vjet, nëse nuk i përmbahet afateve të lirisë së lëvizjes brenda kësaj zone. Shihet që është një penalitet shumë i fortë. Por a është zbatuar ky rregull? Deri më sot nuk dihet se sa shqiptarë janë ekstraduar nga vendet ‘Shengen’ pikërisht në zbatim të këtyre penaliteteve. Dhe është e vështirë të besosh se zbatimi i këtij ndëshkimi të drejtë nuk do të kishte impakt pozitiv për të gjithë ata që do të mund të nanurisnin ëndrrën për të qëndruar në ndonjë vend të zonës ‘Shengen’ jashtë limiteve që i njeh e drejta e lirisë së lëvizjes. Me shumë gjasa nuk është zbatuar, dhe prandaj vijmë në një moment kur BE e gjen shpëtimin tek mundësia e ndëshkimit kolektiv të të gjithë pjesëtarëve të një shteti si Shqipëria? Por a nuk është kjo e padrejtë? Natyrisht që po. Aty ku nuk zbatohet ligji, punët nuk mund të mos precipitojnë edhe në mohimin e lirisë. Dhe a nuk çon kjo politikë në getoizimin e shqiptarëve dhe kujtdo popullsie tjetër mbi të cilën do zbatohet? Thonë se vizat mund të rivendosen vetëm për 6 muaj dhe pastaj të hiqen prapë? Po kush jep garanci për këtë? Pastaj, sa mundësi reale ka që në 6 muaj të zhbëhen të gjithë ata faktorë që nxisin disa shqiptarë për të kërkuar azil? Jo pak shqiptarëve në Tiranë, burokracia e BE-së po u duket si burokracia e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike. Ka vite që kjo kompani, në pamundësi për të vjelë energjinë tek të gjitha familjet, ka rritur drastikisht faturimin e energjisë për familjet që janë pagues të rregullt të energjisë. Madje, në raste dhe zona të caktuara, nuk ka munguar të zbatojë ndëshkime kolektive me prerje të energjisë, pa marrë parasysh se janë ndëshkuar me terr edhe pagues të rregullt të energjisë. Ndaj sot janë qindra mijë shqiptarë që ndërsa mbledhin supet para penalizimit të paralajmëruar për ta nga zoti Sekui thonë: unë nuk dua të ndëshkohem në lirinë time për shkak se komshiu im nuk zbaton afatet dhe rregullat e lëvizjes në zonën ‘Shengen’. Unë nuk kam dhunuar asnjë ligj, asnjë afat, prandaj nuk meritoj të ndëshkohem nga asnjë ligj dhe për asnjë afat!

* * *

Por duket se gjërat paraqiten disi më të komplikuara. Në media raportohet ambasadori Sekui të ketë theksuar se “një pjesë e mirë e azilkërkuesve paraqiten sikur kanë probleme me gjakmarrjen”. Nëse është vërtet kështu, kjo përbën një telash për europianët. Sepse ligjet e BE-së japin mbështetje për çdo individ që kërkon azil në mbrojtje të jetës së kërcënuar në shtetin e tij. Dhe ne e dimë fort mirë që në Shqipëri vazhdon të këmbëngulë zakoni mesjetar i gjakmarrjes, që është një tjetër simptomë e dobësisë së shtetit të së drejtës. Por cila është zgjidhja që sugjerohet për këtë plagë? Që për shkak se disa shqiptarë në gjak arratisen nga kullat dhe shtëpitë ku qëndrojnë për vite të ngujuar, të ngujojmë të gjithë shqiptarët si në kohën e regjimit komunist!? Kjo është një “zgjidhje” që duke dhunuar të drejtën, nuk ofron zgjidhje. Përkundrazi, ajo do të rihapë skenarët e trafiqeve të përgjakshme të njerëzve dhe të korrupsionit me vizat. Zgjidhja mund të vijë vetëm nga zbatimi dhe fuqizimi i të drejtës edhe në këtë rrafsh. Autoritetet e shteteve të zonës ‘Shengen’ duhet që rast pas rasti, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, të ndjekin të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me azilkërkuesit për shkaqe të gjakmarrjes. Të ndajnë rastet false nga ato tragjikisht të vërteta. Falsifikatorët të ekstradohen në Shqipëri duke u penalizuar për shkeljen, ndërsa për ata që kërkojnë azil të dëshpëruar për gjendjen pa shpresë në shtetin e tyre, një gjendje që ofron ose mbyllje përjetë mes katër mureve ose vdekje, të zbatohen ligjet që mbrojnë njeriun dhe lirinë e tij. Ndërkaq, duhet të fuqizohen politikat bashkëpunuese që Shqipëria të shndërrohet realisht në një shtet ku njerëzit ndihen të lirë dhe të sigurt në jetët e tyre, në një shtet që nuk shtyn të arratisesh për shpëtim në një tjetër shtet si këtu e 20 vjet më parë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel