Në një reagim të shkurtër nga Brukseli, Rama tha për “Top Channel” se në takimin me Komisionerin e Zgjerimit, Stefan Fyle, u bë bilanci i përgjegjësive për mosnisjen e bisedimeve të integrimit, ndërsa theksoi se mendimi i përbashkët është që shumica e tyre i përkasin qeverisë.

Përsa i takon funksionimit të marrëveshjes me PD-në, Rama thotë që Partia Socialiste mbetet skeptike dhe se nuk ka asnjë garanci që mazhoranca nuk është duke përgatitur një kurth të ri, me qëllim që të tjetërsojë edhe një herë tjetër rezultatin e zgjedhjeve.

“Bëmë një bilanc të kësaj periudhe që ka sjellë një moment të ri politik dhe nënvizuam vullnetin tonë që të japm të gjithë kontributin që na takon”, deklaroi Rama pas daljes nga takimi me Komisionerin. “Pranuam që përgjegjësia është e përbashkët dhe opzozita ka rol të patjetërsueshëm. Theksuam gjithashtu të gjitha shqetësimet tona në të gjithë atë pjesë tjetër të konsiderueshme të përparësive që kanë të bëjnë drejtëpërderjetë me përgjegjësinë eksluzive të qeverisë”.

Në vazhdim të deklaratës së tij, lideri i opozitës pranoi se mbetet skeptik për qëllimet e vërteta të maxhorancës në këto bisedime. “Morëm inkurajim dhe mbështetje për të vazhduar në këtë proces dhe për të dhënë gjithçka që mundemi, në mënyrë që procesi të jetë sa më thelbësor dhe rezultatet e tij të jenë të dukshme dhe të prekshme. Ne futemi tek skeptikët dhe s’kemi asnjë arsye për të besuar që pala tjetër ka vullnet që këtë herë të mos ta kthejë procesin në një kurth të ri që të përfundojë me një palë tjetër zgjedhje të vjedhura”, shtoi kryetari i Partisë Socialiste.

“Na takon të bëjmë ç’mundemi, me besimin që sensibilizimi i larte i komunitetit  ndërkombëtar dhe BE-së në veçanti, do të jetë një ndihmesë e madhe që e shkuara të mos përsëritet. Nga ana tjetër, kemi një raport të ODHIR-it, që ndryshe nga 2009-ta, është i qartë, flet troç dhe nuk lë vend për ekuivoke, prandaj jemi plotësisht të vetëdijshëm për domosdoshmerinë e kursit tonë të ri. Njëkohësisht, jemi edhe besimplotë që kursi i ri ka gjetur një terren të përshtatetëshëm në kushtet e reja politike të krijuara, pasi e vërteta ka dalë plotësisht në shesh dhe askush nuk mund t’i fshihet më asaj”, mbylli Rama.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel