Do të dobësohesh? Përtypu me ngadalë

22/11/2011 00:00

Fjalët e urta popullore shpesh herë na acarojnë. Kur mamaja na thoshte
të përtypeshim me ngadalë për të ndihmuar tretjen, të paktën 20 herë për
cdo kafshatë, nuk po na detyronte të bënim një ushtrim të kotë, por po
na ndihmonte të mbanim nën kontroll peshën.

Kjo, sepse fjala e urtë “po të hash me ngadalë dobësohesh” është e vërtetë. Këtë e kanë treguar dy kërkime shkencore të bëra dhe të prezantuara në kongresin vjetor të Shoqatës së Obezitetit në Shtetet e Bashkuara.

Specialistja e ushqimit Kathleen Melanson ka kryer dy kërkime të ndryshme për të zbuluar nëse shpejtësia me të cilën hamë ka lidhje me mundësinë për t’u dobësuar, ose për të mbajtur nën kontroll peshën.

Eksperimenti i parë, vlerësimi i shpejtësisë me të cilën konsumohen ushqimet dhe lidhja me sasinë e gëlltitur ka dhënë këtë rezultat:

Ngrënësit e shpejtë gëlltisin mesatarisht 88 gramë ushqime në minutë, kundrejt 70 gramëve që gëlltisin ngrënësit e mesëm dhe 57 gramëve që gëlltisin personat që përtypen me ngadalë.

“Burrat janë mesatarisht më të shpejtë krahasuar me femrat dhe konsumojnë rreth 80 kalori në minutë, kundrejt 52 kalorive të femrave. Faktikisht, burrat që hanë më ngadalë e kapërcejnë ushqimin me një shpejtësi të barabartë me atë të grave që përtypen shpejtë”, ka deklaruar Melanson.

Në eksperimentin e dytë, studiuesja është përpjekur të zbulojë nëse shpejtësia me të cilën gëlltitet një vakt është e lidhur me treguesin e masës trupore, domethënë me gradën e mbipeshës. Përgjigjia ka qenë “po”.

“Një tregues i masës trupore më i lartë lidhet në mënyrë të pashmangshme me tendencën për të ngrënë më shpejt. Kam menduar edhe se shpejtësia për të gëlltitur ushqimin është e lidhur me një nevojë më të madhe për energji, duke qenë se burrat dhe subjektet në mbipeshë kanë kërkesa më të larta për energji. Por është e vështirë të kuptohet se cili është raporti real shkak-pasojë”, ka shtuar studiuesja.

Top Channel