Në kohën që disa trupa gjyqësore ne vend kanë në shqyrtim cështje sensitive dhe ku përfshihen politikanë të nivelit të lartë, Unioni i Gjyqtarëve i bën thirrje klasës politike që të përpiqet t’i shërbejë qytetarëve ashtu sikurse gjyqtarët përballen cdo ditë me gjykimin e kriminelëve dhe bandave të rrezikshme, duke dhënë dënime të përjetshme, apo duke luftuar korrupsionin e politikanëve apo trafikantët e drogës.

Në deklaratën e Unionit të Gjyqtarëve theksohet se gjyqtarët refuzojnë cdo sulm të bazuar në interesa politike të momentit dhe gjithashtu nuk u nevojitet mbrojtja e radhes e sulmit paraardhës, të cilët ndërrojnë rolet me njëri-tjetrin, vijojnë gjyqtarët, që sikurse e cilësojnë ata, ndodh në një teatër absurd të politikës.

Nga ana tjetër, thekson Unioni i Gjyqtarëve, me shqetësim serioz konstatojmë se politika në tërësi dhe vijimësi përpiqet të shmangë përgjegjësinë e deleguar nga qytetarët shqiptarë për një qeverisje më të mirë. Gjyqësori, thuhet në deklaratë, është i pavarur nga qeveria, por është pjesë e qeverisjes së mirë.

Politika, shprehen gjyqtarët, në vend të angazhimit në realizimin e përgjegjësive që burojnë nga sfida e integrimit europian të vendit, nuk bën gjë tjetër vecse ndërton sulme dhe anatemime të pabazuara ndaj gjyqësorit dhe gjyqtarëve, në përpjekje për të transferuar koston politike dhe manipuluar opinionin për mospërmbushjen e detyrimit të tyre për një qeverisje më të mirë.

Me deklarata të tilla gjyqtarët reagojnë shumë rrallë në adresë të politikës, pikërisht atëherë kur presioni i kësaj të fundit bëhet i dukshëm, vecanërisht kur në gjykata përfundojnë protagonistët e jetës politike në vend.

Top Channel