“Gërdeci”, nis mbrojtja e të pandehurve

16/11/2011 15:30

Pas një shtyrje dyjavore, procesi gjyqsor për tragjedinë e Gërdecit ka rifilluar me konkluzionet përfundimtare të avokatëve mbrojtës për klientët e tyre.

I pari dhe i vetmi avokat që lexoi konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës ishte ai i të pandehurit Sokol Ngjeci. Për këtë të fundit avokati mbrojtës kërkoi rrëzimin e akuzave të vrasjes në rrethana cilësuese dhe shpërdorim detyre dhe shpalljen e tij të pafajshëm.

Sipas avokatit mbrojtës, i pandehuri Sokol Ngjeci në gjithë aktivitetin e tij që kishte të bënte me punishten e demontimit të municioneve në Gërdec, kanë qenë në zbatim të detyrave të tij si zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes.

Sakaq, avokatët e të pandehurve të tjerë deklaruan se ende nuk kishin përgatitur konkluzionet përfundimtare të klientëve që mbrojnë dhe në këto kushte trupi gjykues i kryesuar nga Ridvan Hado shtyu seancen për pas një jave.

Me këto ritme, ku pritet që të lexohen konkluzionet e avokatëve edhe për 28 të pandehur të tjerë, më shumë gjasa trupi gjykues mund të japë vendimin përfundimtar për të akuzuarit pranverën e vitit që vjen.

Top Channel